Megjithatë, dikush e gjuajti gurin dhe e fshehu dorën
Nga Selman Ymeri – Të nderuar lexues, nëpërmjet këtij shkrimi i drejtohem në radhë të parë Opinionit Vitias, të Anamoravës, por edhe më gjerë, në lidhje me padrejtësitë e bëra pas shpalljes fillestare të listave të kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së, për Brigadën 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, Zona Operative e Karadakut. Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se mund të merrem me një shkrim të karakterit të tillë, por ja që në realitetin dhe aktualitetin tonë ndodhin gjëra të papritura e madje edhe ndoshta të qëllimshme, ku ta dish.
Refuzimi i emrit tim pas shpalljes fillestare të këtyre listave, më shtyu të sqaroj në vija të trasha, si në vijim:
1. Unë, as që do të kisha aplikuar fare sikur të mos dija dhe sikur të mos i kisha letrat, veprat dhe historikun e paraqitjes, personat kontaktues, datën e mobilizimit, pozicionin si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e mia, në kuadër të Brigadës 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”.
2. Këto paraqitje, data, pozicione detyra dhe përgjegjësi, janë të përcaktuara në dokumentin /dëshminë/ e Brigadës 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, Zona Operative e Karadakut, të cilin fatmirësisht e posedoj dhe kopjen e të cilit po e vë në dispozicion të opinionit.
Shiko si në vijim:
3. Nëse personi apo personat përgjegjës së Brigadës173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, nuk i kanë ditur dhe nuk i kanë respektuar dëshmitë dhe dokumentacionin e Brigadës të cilën e përfaqësojnë, atëherë kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tij, apo në ndërgjegjen e tyre.
Përndryshe, për hirë të korrektësisë dhe saktësisë para opinionit, dëshiroj të sqaroj, se asnjëherë që nga paslufta nuk kam marrur kartelë të UÇK-së, duke i dhënë përherë përparësi kohës, kur do të vije deri te verifikimi i listave, si një proces gjithëpërfshirës, institucional dhe ligjor.
Kontributin tim, edhe në kuadër të Brigadës, por edhe në rrafshin politik dhe organizativ, asnjëherë nuk kam dashur dhe nuk dua ta vë në spikamë përmes ngutisë, zhurmës dhe pompozitetit.
Detyrat e parashtruara, në kuadër të aktivitetit të Brigadës173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, i kam kryer me përpikëri dhe përkushtim të plotë.
Mua, asnjëherë deri më sot, nuk kanë mundur të më joshin as statuset, as pozitat e ndryshme, as përfitimet apo benifitet të çfarëdo natyre qofshin ato, as uzurpimet të çfarëdo natyre qofshin ato, as tendencat për punësim mbi baza nepotiste, qoftë edhe në kohën kur isha drejtor në ekzekutivin komunal, ashtu siç nuk do të mund të më joshin as në të ardhmen, vrapimi pas klisheve stereotipe dhe cilitdo njeriu servil ose njerëzve servil.
Asnjëherë, po e ritheksoj, ama bash asnjëherë, nuk kam tentuar dhe s’do të tentoj të marr pozita të pamerituara.
Unë, asnjëherë vendit tim apo shtetit tim, nuk kam vrapuar t`i marr atë që nuk më takon, por do të veprojë gjithnjë sipas ligjit dhe gjithnjë në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në vendin tim.
Menjëherë pas përfundimit të luftës, Qeveria e Përkohshme Komunale, më ka emëruar në drejtorinë e përkohshme të Ndërmarrjes prodhuese “Vinex”, në Viti, dhe po ashtu më ka emëruar administrator i fshatit tim.
Se vendit tim i kam shërbyer me nderë dhe përkushtim duke mos tentuar asnjëherë të merrem me keqpërdorim të pozitës sime, këtu po e paraqes një të dhënë e cila tregon se pas lufte, për dy muaj të qëndrimit tim në drejtorinë e ndërmarrjes “Vinex”, në Viti, nuk kam kërkuar dhe as që kam marr asnjë lloj page, pra asnjë cent. Pas dy muajve jam larguar me vet-dëshirë, nga drejtoria e asaj ndërmarrje.
Po të dojë dikush t’a vërtetojë këtë fakt, këtë mund t’ia argumentojnë ish-përgjegjës të sektorit të financave, e deri te ish-drejtori i përgjithshëm i kësaj ndërmarrjeje, në kohën për të cilën po flas.
Asnjëherë në jetën time, as gjatë kohës së angazhimit në Brigadë, por edhe as në partinë politike së cilës i takoj, tash e 15 vite, nuk kam tentuar të hyjë përmes dyerve anësore apo
kooptimeve, por gjithnjë kam hyrë përmes rrugës ligjore dhe procedurave ligjore – kam hyrë përmes dyerve kryesore.
Këto janë parime të mia personale, morale dhe familjare të lindura dhe të trashëguara, për të cilat, në mënyrë të pareshtur falënderoj Zotin dhe Prindërit e Mi.
Janë pikërisht parimet, kriteret dhe arsyet bazë, të cilat para verifikimit të listave në fjalë, nuk kanë lejuar që unë asnjëherë të flas, të bisedoj apo të interferojë për këtë çështje, me asnjërin nga ish-eprorët e Brigadës, duka filluar nga eprori më i vogël në kierarki – komandanti i skuadrës, e deri te ai më i larti – që është komandanti i Brigadës. Këtë konstatim timin mund t’a dëshmojnë të gjithë ata.
Në fund, unë do të dëshiroja që mospërfshirja e emrit tim në listat fillestare të ishte mbase edhe ndonjë gabim apo lëshim edhe i rastit.
Mirëpo, gabimet jo edhe të vogla që kanë ndodhur, pakënaqësitë mjaft të mëdha, pastaj edhe Njoftimi për opinion, i z. Milaim Sylejmani, ish- Shef i Operativës në Brigadën 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, sikur shpërfaqin një të vërtetë tjetër, e cila i gjason thënies së famshme se – dikush e gjuajti gurin dhe e fshehu dorën.
Personalisht, njoh së paku katër persona të cilët kanë qenë të mobilizuar në Brigadën 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, emrat e të cilëve figurojnë në listën e personave të cilëve u është refuzuar kërkesa.
Për hirë të korrektësisë, po theksoj vetëm inicialet e tyre: D. A, F. H, H.R dhe H. Z.
Fare në fund, ajo që dihet përfundimisht, Komisioni për rishqyrtimin e kërkesave, do të ketë mjaft punë në këtë drejtim.
Ftoj, publikisht, të gjithë personat kompetent, deri te, z. Agim Çeku, si dhe Komisionin për rishqyrtimin e kërkesave, që të tregojnë drejtësi, vigjilencë, punë me nderë dhe të paanshme, në trajtimin e të gjitha fakteve, që mund të ofrohen, kjo mbi të gjitha, që ky proces i vonuar dhe i mundimshëm të mos dëmtohet dhe të mos degradojë më shumë në tërësinë e vet.
Të mos harrojmë edhe një fakt, se, Cenimi i së Drejtës së Personalitetit, është i dënueshëm edhe sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës./rajonipress/

