Megjithatë, De Biasi nuk i fton Alijin, Xhimshitin dhe Avdijajn?
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni De Biasi, duket se nuk do t’i grumbullojë talentët e rinj në ndeshjen e muajit mars. Në rrjetet sociale kanë qarkulluar tre emra lojtarësh që mendohet se do të jenë risitë e të grumbulluarve për ndeshjen kundër Armenisë, e cila zhvillohet më 29 mars në “Elbasan Arena”.
Mirëpo, ky është thjesht një aludim. Burime të gazetës Panorama Sport, pranë stafit teknik të Kombëtares shqiptare, treguan se Naser Aliji (Vaduz), Berat Xhimshiti (Zurich) dhe Donis Avdijaj (Schalke/Sturm Graz) nuk do të grumbullohen për ndeshjen ndaj Armenisë.
“Të tre janë në planet e De Biasit, por për ndeshjen e radhës nuk do të jenë pjesë e listës”, ka thënë burimi për gazetën.
Ndërkohë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për sulmuesin Shkëlzen Gashi, i cili po shkëlqen në Zvicër me kampionët e Bazelit. Pritet që golashënuesi të rikthehet te kuqezinjtë ndaj Armenisë, pas një mungese disi të çuditshme në ndeshjet e fundvitit të kaluar. /Telegrafi/


