Uji Dea

Medvegjasja një zë poetik që premton shumë…!

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Bilall Maliqi – (Majlinda Shaqiri “Në sytë e diellit” shb “Lena”, Prishtinë, 2020, fq. 126). Majlinda Shaqiri me prejardhje nga Medvegja e që jeton dhe vepron në Fushë Kosovë, para dashamirëve të artit poetik dhe para lexuesve doli me vëllimin e parë poetik me titull “Në sytë e diellit”, botues, shb “Lena”, 2020, Prishtinë.

Që në lexim të librit, pashë që kemi të bëjmë me një krijuese të kujdesshme, që mundohet që në poezitë e saj të shpërfaqë vlera artistike.

Libri i parë i secilit krijues është paksa eksperimental për ta marrë pastaj “vizën” e vazhdimit të rrugës së pambarimtë të poezisë, e disa, që nga libri i parë ngecin dhe përfundon rrugëtimi i tyre poetik e krijues. Te autorja e këtij libri qëndron kjo, se ajo ka dell poetik dhe duhet të vazhdojë edhe më tutje të punojë e të gjurmojë vlera.

Së lexuari të librit konkludova se Majlinda është një zë poetik që premton shumë, kjo shihet në origjinalitetin e shkrimeve të saj, prurjet poetike të cilat kanë zanafillën e hershme të shkrimeve, të belbëzimeve të hershme poetike, të cilat më pastaj janë manifestuar dhe kështu ka ardhur deri te botimi i këtij libri. Pra nuk është se poetja ka filluar që tani të shkruaj.

Ajo na servon poezi me motive të ndryshme, të ndara po ashtu në cikle të ndryshme, në të cilat është munduar t’i klasifikojë motivet poetike në ciklet që janë të ndara në libër.
Poezitë e librit janë të drejtpërdrejta, pa ndonjë hermetizëm qoftë edhe më të voglin dhe si të tilla janë të kuptueshme dhe të pranueshme për secilën shtresë të shoqërisë, dhe kjo lë të kuptojmë se Majlinda nuk ka shkruar vetëm për një shtresë të zgjedhur të shoqërisë.
Ciklet poetike që e përthekojnë këtë vëllim janë:/Eklipsi vjen/, /Feniksi u ngrit në pikë/, /Klithmë që s’bëzanë/ dhe /Syri pikon nga gjaku i njomë/.

Duke i lexuar poezitë e secilit cikël veç e veç pamë se autorja brenda vargjeve poetike na jep frymë mallëngjimi, dhembjeje, dashurie, të cilat i ka mbarështuar me një kuptimshmëri të gjerë, ashtu siç e ka parë autorja rastin dhe çastin e shkrimit të asaj poezie. Diku, diku hetohen ca përsëritje ndoshta të panevojshme, të cilat paksa ia ulin nivelin e vlerës së ca poezive, por megjithatë strukturimi i vargjeve, lidhshmëria apo korrespondimi në mes tyre është i mirë, porosia apo mesazhi poetik, po ashtu është brenda kuptimshmërive të poezive dhe krejt këto e bëjnë poezinë e Majlindës të qëndrueshme, me aq vlerë sa ka.

Hidromorava

Shumica e poezive kanë një ruajtje të nivelit të qëndrueshëm, por unë do t’i përmendja disa poezi, të cilat vërtetë ia rrisin vlerat poezive si dhe i japin shije artistike librit, e këto janë: Arratisje, Etje prej djalli, Fjalët e një jetimi, Hakmarrja e gjarprit, Kodi i jetës, Kur heshtja bërtet, Lot i fjalës, Melodi, Mjegull, Një ditë, Nostalgji, Gjerdan nusërie, Pa dashuri, Enigmë, Në sytë e diellit tim, Simfoni, Molla e kuqe, Atyre që flasin për mbretëri , e që vrasin tokën e vet.
Të gjitha këto poezi kanë një rritje më të theksuar poetike në krahasim me poezitë tjera, të cilat i japin ngjyrim të mirë, tok me figurat stilistike, të cilat fshihen nëpër brendinë e librit.

Këto poezi të lartcekura janë të shkruara me një përkushtim ndoshta më të madh nga autorja, meqenëse edhe motivet dhe gjetjet motivuese ndoshta e kanë bërë të veten që këto poezi të dalin si një ngrehinë përmbi vargjet tjera poetike.

Kjo poete në të ardhmen premton shumë, duke e sugjeruar që edhe më tutje të gjejë gjetje të reja motivuese, poezitë t’i rregullojë, përpos anës artistike ( që edhe e ka), por ato t’i rregullojë edhe estetikisht, në mënyrë që poezitë të dalin të kompletuara, me të përmbledhurën fjalë, artistike.

Po ashtu te shumica e poetëve që kanë të botuar librin e parë, gjejmë fjalë ndoshta të tepërta, e te Majlinda kjo nuk ndodhë, ajo është kursyer nga tepria e fjalëve, të cilat mandej e vrasin dhe e bëjnë bajate poezinë.

Për fund mund të themi se libri në fjalë ka vlera të begatshme artistike dhe si i tillë është mirë të lexohet nga lexuesit, sepse vërtet ka mjaft “ngjarje” poetike, të cilat i ka mbarështruar brenda tekstit poetik.

Urojmë që kjo penë të vazhdojë rrugëtimin poetik me rritje të vlerave e, gjë të cilën e dëshiron dhe e ëndërron secili krijues…/rajonipress/