RCCOLA

Mediet lokale e rajonale flasin për qëndrueshmërinë mediatike dhe cilësinë e tyre

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë të mërkurën në Gjilan është mbajtur tryeza e rrumbullakët me temën “Qëndrueshmëria e medias lokale” derisa panelistët e shumtë kanë thënë se media lokale ende ka mundësi të profesionalizohet dhe të kërkojë format më të pranueshme të financimit duke përfshirë edhe projektet e ndryshme me natyrë mediatike.

Në tryezën e organizuar nga OSBE-ja merrnin pjesë gazetar e përfaqësues të radiove, portaleve, TV stacioneve rajonale nga Kosova, Vojvodina e Serbia.

Qëllimi i tryezës kishte për synim që të vlerësohet gjendja aktuale e mediave lokale në Kosovë, ndikimi i tyre tek publiku, si dhe mundësitë për zhvillim të mëtejmë profesional dhe qëndrueshmëri. Tryeza gjithashtu ka trajtuar gjendjen e tyre ekonomike, tregjet lokale për marketing, si dhe format alternative të të hyrave.

Në diskutimet e tyre Dane Koruga, udhëheqës i seksionit të Mediave, depratmenti i demokratizimit të OSBE-së, Gordana Jankoviq udhëheqëse e departamentit të Medieve, Misioni i OSBE-së në Serbi dhe Musa Sabedini kryetar i Press Clubit në Gjilan, themelues i portalit Rajonipress dhe ligjërues në UBT, janë fokusuar më tepër në qështjet kryesore që kanë mediet nëpër komuna e rajone të vogla.

Musa Sabedini në fjalën e tij tha se ky debat na bënë të mundur që të flasim hapur dhe në të mirë të të gjitha medieve qendrore e lokale, për të parë se çfarë është pozita e tyre, ku ndodhen ato profesionalisht, cilat janë investimet e medieve në burimet njerëzore, kush i financon mediet profesionale e kush ato partiake e klanore, çfarë duhet të bëjnë mediet që të kenë qëndrueshmëri profesionale e materiale e shumë faktor të tjerë zhvillues e ndihmues.

Duke folur për zhvillimin që po e përjetojnë mediet lokale në raport me publikun dhe në raport me mediet qendrore Musa Sabedini tha se personalisht jam i brengosur me profesionalizmin që kanë ose që duhet të kenë disa medie lokale.

“Asnjë radio apo medie tjetër nuk mund të arsyetohet se ka mungesë rregullative apo ane ligjore që merret me problemet serioze e profesionale. Tashmë ekziston KPM dhe KMSH që merren me shkeljet etike që bëjnë çdo ditë mediet dhe është tejet shqetësuese se si dhe në çfarë niveli arrihen këto shkelje. Çfarë duhet të bëjmë që mediet e reja ose mediet lokale me pak traditë e pak profesionalizëm të avancohen. Ky është interesimi im më i madh dhe njëkohësisht dhe shqetësimi më serioz që kam. Investimet në media janë të domosdoshme që kjo e fundit të fuqizohet. Por, për çfarë investimi bëhet fjalë. Mediet së pari duhet të investojnë në edukimin dhe ngritjen profesionale të gazetarëve. Trajnimet e gazetarëve duhet të vazhdojnë akoma. Por përzgjedhja e të trajnuarve duhet të bëhet nga ekipet profesionale dhe në asnjë mënyrë në këto trajnime të dërgohen gazetar që s`kanë ide e as përvojë në fushën e gazetarisë. Fatmirësisht tani kemi kolegje e universitete të mjaftueshme që merren me edukimin dhe shkollimin e gazetarëve të rinj. Pra një radio, TV apo portal serioz duhet të investojë në burimet njerëzore” ka thënë Sabedini.

Skender Saçipi nga portali Titulli me seli në Bujanoc tha se mision kryesor kanë informimin e popullatës së Luginës derisa tha se portali që ia drejton ka një profesionalizëm të theksuar që bazohet në punë e përkushtim.

Saçipi tha se mediet rajonale e lokale ende kanë nevojë për ndihmë e projekte të përbashkëta në mënyrë që puna e tyre mos të vihet në dilemë.

Fundamenti

Visar Hoti nga RTV Tema në Ferizaj ka folur për rolin që kanë mediet lokale dhe për ndërhyrjet e patolerueshme që kanë bërë organet rregullative rreth frekuencave ku në këtë rast janë shkelur mediet lokale.

Ilir Gashi drejtor ekzekutiv i Fondacionit Slavko Curuvija në Beograd ka folur për përvojën që kanë mediet në Serbi dhe për mënyrën se si ato i shfrytëzojnë apo i thithin fondet.

James Lyon zyrtar i lartë i demokratizimit, Qendra Rajonale e OSBE-së në Gjilan tha se mediet lokale mundë të bëjnë më shumë për publikun e tyre duke mos u fokusuar shumë në temat që lidhen me zhvillimet që ndodhin në qendër. “Unë inkurajojë mediet lokale që të punojnë dhe të krijojnë kushte financiare edhe për vete, gjithnjë duke u bazuar në kriteret etike” tha Lyon.

Fazli Veliu kryesues i Bordit të Institutit të Medieve të Kosovës tha se çështja e reklamës dhe marketingut është ende fushë e re dhe ende e pakoordinuar në raportit me bizneset.

Ardita Zejnullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës foli më shumë për statistikat që kanë rreth të hyrave të reklamave që përfitojnë mediet lokale e që doli të jetë shumë e ulët.

Në tryezë kanë folur edhe Jeton Ismaili nga RTV Spektri në Bujanoc i cili ka diskutuar mbi shkëmbimet dhe programet nga këndi i përvojave dhe perspektivave.

Në debat janë kyçur edhe Beqir Beqaj nga Radio Sharri, si dhe gazetar e redaktor nga Kragujevci, Leskoci, Novi Sadi etj./rajonipress/