Eko Higjiena

Mediat serbe dhe lufta speciale

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Bajram Mjeku – Në nëntor të vitit 1997, kur ende kishte zëra se shqiptarët do të shpëtonin nga lufta e radhës, mikja e shqiptarëve dhe autorja e librit “Shqiptarët, një histori moderne”, Miranda Vickers pati publikuar një kolumne të gjatë, e cila paralajmëronte luftën e pashmangshme në Kosovë!

Në fillim të kolumnes, Vickers thoshte: “Gjendja në Kosovë i ngjan gotës prej kristali. Ndodh që gotën ta pëplasësh qëllimshëm në dysheme dhe të mos thyhet, por jo rrallë ajo të rrëshqet padashur nga dora dhe kur bie në dysheme, bëhet pirra-pirra!…”.

Gjatë javës së fundit, mediat më prestigjioze janë fokusuar në Kosovë. Raportet dhe imazhet nga Mitrovica e Veriut në veçanti nga CNN, BBC, AP, Reuters, Zëri i Amerikës dhe nga media tjera prestigjioze, padashur të bëjnë për t’u shqetësuar.

Janë mediat serbe, të cilat në kontinuitet ushqyen terenin për kinse shkallën e lartë të rrezikshmërisë në Veri, por kjo situatë është duke ndodhur edhe për faktin se mediat kosovare po qëndrojnë si të nemitura përballë luftës propagandistike serbe. Ndërkohë, institucionet e vendit, jo vetëm nuk bashkëpunojnë me median e tyre, por nuk shprehin as kujdesin më të vogël për sigurinë e tyre.

Uji Dea

Paaftësia të bësh propagandë në dobi të shtetit tënd dhe kur për mungesë kreativiteti padashur kthehet në antipropagandë, atëherë situata bëhet edhe më e ndjeshme.

Mediat serbe, luftën propagandistike me insinuata e trillime në raport me Kosovën dhe të mbështetura fuqishëm nga shteti serb e bëjnë që nga viti 1912.

Gjendja e krijuar këto ditë, më kujton kohën tonë, kur ishim gazetarë të pambrojtur gjatë okupimit serb. Me këtë rast, risjellë në kujtesë rrugëtimin për në Malishevë në dimrin e vitit 1998. Në magjistralen Prishtinë-Pejë, më saktë nga Sllatina deri në fshatrat e thella të Malishevës, nuk takuam asnjë shqiptar, përveç policëve e paramilitarëve serbë dhe kafshëve të cilat vërdalliseshin shkujdesur pa dalzotësit e tyre..

Gjendja në Veri keto ditë nuk është aq dramatike si në Malishevë dhe në çdo cep të Kosovës në dimrin e vitit 1998, por që në Veriun e Kosovës ka pasiguri për popullatën e atjeshme dhe për gazetarët e pambrojtur kosovarë, këtë askush nuk e vë në dyshim…