Me Vetëvendosjen do të mbrohen prodhimet vendore
Gjilan – Kandidatët për deputetë nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan vizituan sot, fermën MENDY në Velekincë të Gjilanit. Në këtë vizitë, të pranishëm ishin Besa Baftiu, Ismajl Kurteshi, Hydajet Hyseni, Nevzad Isufi dhe Salih Salihu nga qendra e Vitisë.
Pronari i fermës, z.Verdi Rexhepi, njoftoi për së afërmi kandidatët për deputetë lidhur me veprimtarinë që ai ushtron në fermën e tij.
Ai tregoi për kushtet, procesin dhe rrjedhën e punës në fermë. Gjate bisedës së zhvilluar, kandidatët njoftuan përfaqësuesit e fermës lidhur me programin politik te Lëvizjes Vetëvendosje në përgjithësi e për atë bujqësor e blegtoral në veçanti.
Lidhja që ekziston mes këtyre dy sektorëve është shumë e madhe, andaj ato edhe shoqërojnë njëra tjetrën në zhvillim. Ky zhvillim siguron rritje ekonomike, ngritje të mirëqenies e ulje të papunësisë.
Duhet nxitur puna në këtë sektor, duke e bërë atë atraktive për të rinje dhe profitabile e të leverdishme u shprehen kandidatet për deputet.
Në anën tjetër, mbrojtja e prodhimeve është po aq e rëndësishme. Lëvizja Vetëvendosje do të sigurojë tregun për plasim të këtyre produkteve. Me qeverisjen e Vetëvendosjes, rolin e udhëheqjes së sektorit të bujqësisë dhe dikasterit përkatës, do ta marrin njerëzit të cilët kanë aftësi përkatëse dhe përvojë, me qëllim të jetësimit të programit të Vetëvendosjes./rajonipress/


