Më shumë azilantë nga Kosova në Luksemburg

Gjatë muajit tetor në Luksemburg kanë kërkuar azil 167 veta, që është për 42 më shumë se një muaj më parë. Shumica e kërkesave, ose 61 sish, vijnë nga Bosnjë e Hercegovina, 26 nga Kosova, 24 nga Serbia, 18 nga Mali i Zi.
Krahasuar me muajin shtator ka pasur 32 kërkesa më shumë nga Bosnja, për 12 veta është shtuar numri i azilkërkuesve nga Kosova dhe për 8 nga Serbia.
Ajo që është karakteristike për azilin në Luksemburg është se afër një e pesta e kërkesave të azilit të regjistruara nga fillimi i vitit e këndej vijnë nga Serbia (18.91% ose 353 persona). Në vendin e dytë, me 282 kërkesa ose 15.1% janë shtetasit e Shqipërisë ndërsa në të tretin janë malazezët me 275 kërkesa ose 14.73%.
Nga ky numër gjatë vitit 2012 vetëm 54 veta kanë fituar statusin e refugjatit të njohur në Luksemburg, ndërsa 1428 persona është dashur ta lëshojnë vendin. Vetëm gjatë tetorit janë dëbuar 133 veta.