Me se, pra, matet profesionalizmi?

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Nuhi Ismajli – Reagim në shkrimin: “A thua me çfarë kuti matet profesionalizmi i dikujt?”, të N. Rapucës, www.rajonipress.com, më 17. 9. 2012.

Në kohën tonë pothuajse nuk çmohet fare thënia e Sokratit: “Unë di se nuk di asgjë”. Jo. Përkundrazi. Në kohën tonë ka shumë të tillë që veten e konsiderojnë edhe më sokrat se Sokrati! Prandaj, thënia e Sokratit: “Unë di se nuk di asgjë”, te këta përkthehet në: Unë nuk di se nuk di. Unë i di të gjitha. Unë di gjithçka. Unë jam ekspert i çdo fushe… D.m.th., sipas “filozofisë” së tyre, nuk ke studiuar mjekësinë, po mund të merresh me punët e mjekut. Nuk ke studiuar arkitekturën, po je ekspert i ndërtimeve. Nuk ke studiuar shkencat shoqërore, artet, kulturën, as je farë eksperti a krijuesi i njohur, i ndonjë fushe, po di ta udhëheqësh kulturën! Ose: ke mësuar për pulaxhi e merresh me pedagogji…!

Të tillët edhe mund të të thonë: Krahasohemi, cili është më i mirë! Krahasimi është metodë e mirë. Posi! Si krahasohen dy gjëra krejt të ndryshme?! Si mund të krahasohet, p.sh. një pular me një arsimtar!?

Po, në një botë të tillësh, ku mungon edhe dija dhe vetëdija, deri në atë shkallë sa nuk mund të dallohen as fushat e ndryshme të dijes, më së keqi, për fatkeqësinë njerëzore, është, që, këta të “gjithëdijshëm”, zënë do vende udhëheqëse për të sunduar me injorancën e tyre ose, së paku, bëhen “këshilltarë” të pushtetarëve dhe tregojnë se si duhet udhëhequr njerëzimi!

Ec e mos u bën pastaj arrogant me arrogancën që nuk e di se duhet të heshtë, të mos flasë, të mos përzihet fare, bash fare, në fushën e huaj, atje ku ajo është një zero e madhe, se, me injorancën e tij, për mirë, nuk mund të sjellë asgjë.

Jeta është shndërruar në një skenë tragjikomike. Nuk ka nevojë më të shkojmë në teatër për të parë një komedi a një tragjedi. Akte më të fuqishme, komike e tragjike, se ato që luhen në teatër, në bazë të artit, po ndodhin në vetë skenën e gjallë të jetës.

Si mund të thotë njeriu se ka studiuar jashtë, ka studiuar shumë, po kërkon të krahasohet me nivelin e formimit të dikujt, që i takon një fushe krejt tjetër? Ç’ngjashmëri dhe ç’krahasim mund të ketë aty?!

Si mund të thotë njeriu se ka studiuar edhe jashtë, ka studiuar shumë e, megjithatë, nuk ka arritur të jetë aq i vetëdijshëm sa të kuptojë se nuk duhet përzier atje ku nuk është ekspert?!

Ç’i duhet p.sh. Nazmi Rapucës, i cili paska studiuar pemëtarinë, të merret me arsimin?!
Ka studiuar pedagogji, psikologji dhe dije të tjera të rëndësishme për arsimin?!
Është përgatitur për të punuar në veprimtarinë arsimore?!
Është një ekspert i arsimit, i cili, në bazë të dijeve pedagogjike e psikologjike, mund t’i vlerësojë problemet e arsimit?!

A nuk paska kush të merret me problemet e arsimit, po i paska mbetur të merret me to një pemëtar, kur mijëra njerëz, që e kanë profesion, merren me atë veprimtari, për të cilën shoqëria paguan miliona?!

Fundamenti

Pse, Rapuca, si pemëtar, nuk brengoset për pemët, të prodhojë sa më shumë pemë, pemë sa më të dobishme për shëndetin e njeriut dhe sa më të lira për qytetarin, po na tregon skena “pikëlluese”, për nxënësit, të cilët, kinse kanë pasur problemin me regjistrimin, kur dihet se kurrë nuk ka qenë një problem i tillë? Nëse ka ndonjë rast, le të thuhet kur dhe cila shkollë ka refuzuar regjistrimin e nxënësve në klasën e parë.

Pse Rapuca, si pemëtar, nuk preokupohet me pemët, po humb kohë me një problem pedagogjik e psikologjik, si ai i të drejtës së nxënësit për t’u regjistruar aty ku do, problem i cili, si duket, nuk njihet as po kuptohet as nga ata, për të cilët ky problem duhet të jetë i qartë, nga udhëheqësit e arsimit?

Mund të mos jetë e qartë dhe të mos kuptohet sa duhet ajo që unë e kam thënë në shkrimin tim, se: Ata që punojnë në sferën e arsimit e kanë shumë të qartë se mund dhe duhet të pengohet formimi i paraleleve, që nuk janë shprehje e interesave arsimore e shoqërore, në njërën anë, si dhe të lejojnë të drejtën e nxënësve për të zgjedhur mësuesin-en dhe paralelen, në anën tjetër. Pra, kjo është e mundshme dhe e mirë, kurse do të ishte e papranueshme që, për të penguar një lloj diskriminimi, të bëjmë diskriminimin tjetër (www.rajonipress.com, më 17.9.2012).

Po, thënë thjeshtë, nga aspekti pedagogjik e psikologjik, që duhet t’i ketë parasysh gjithkush që merret me arsimin, fëmijës duhet t’i lejohet zgjedhja e mësuesit-es e paraleles.

Kjo, jo pse ashtu po them unë, po pse ashtu është e zakonshme. Pengimi këtu përbën shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Lejimi i vijimit të mësimit të fëmijës, në paralelen që ai do, është shprehje e botës së përparuar.

Në anën tjetër, duhet penguar formimi i paraleleve të cilat nuk janë të pranueshme në pikëpamje shoqërore e morale. Pengimi i formimit të këtyre paraleleve nuk është i vështirë. Mësuesit-es nuk duhet lejuar formimi i paraleles me nxënës të zgjedhur prej tij/saj. Por, asgjë të keqe nuk ka nëse disa nxënës, sipas dëshirës, janë vendosur në një paralele të caktuar.

Arsimi, ndonëse udhëhiqet nga pushtetarët, së brendshmi, veprimtaria e tij mund të mos zhvillohet sipas logjikës së pushtetit. Sepse, kushedi a e udhëheq pushteti arsimin sipas dijeve pedagogjike e psikologjike. Pikërisht kjo bën që me problemet e arsimit të merren profesionistët. Është tepër monstruoze thirrja, si ajo e Rapucës, që pushteti të ngulë këmbë dhe të mos lejojë në asnjë mënyrë që nxënësi të zgjedhë mësuesin-en dhe paralelën.
E mira e së mirës është që, Rapuca, ekzemplari më tipik i pushtetarit të sotëm, të mos brengoset fare për arsimin, po për pemët! Pse të humb kohë, të shqetësohet aq shumë për profesionin e të tjerëve, për profesionin e arsimtarëve!? Le të thellohet në profesionin e tij! Atëherë do të kishim më pak prerje pyjesh, më pak djegie të tyre…

Pra, le të mos humb kohë me profesionin e huaj, po le të thellohet në profesionin e tij dhe të kuptojë se më e dobishme dhe më e moralshme është të ruash pyllin nga prerja, sesa ta lejosh prerjen e pyjeve, pastaj, kur drurët të sillen në qytet, t’ua konfiskosh pronarëve!

Më mirë është të thellohet e të angazhohet më shumë në profesionin e tij, që të kuptojë, se më e mirë dhe më e dobishme është ta parandalosh djegien e pyjeve, sesa të dalësh me disa vetë për të shuar pyllin e djegur në të katër anët! Etj. Etj.