KKGJILAN

Me Qeverinë “Haradinaj”, 100 milionë më pak investime

/ 8 minuta lexim

Haraçi dhe ryshfeti godasin ekonominë.

Ekspertë të ekonomisë, deputetë të opozitës dhe përfaqësues të shoqatave të bizneseve vendore, kanë alarmuar se edhe me Qeverinë “Haradinaj”, Kosova po dështon edhe në sektorin ekonomik. Sivjet ka 100 milionë euro më pak investime të huaja direkte, ndërsa është për keqardhje se Qeveria as që po e përmend këtë fakt alarmant për ekonominë e brishtë vendore. Analistët e shtrojnë pyetjen se përse po bien në mënyre drastike investimet e huaja direkte në vend. Veç saj, specialistët e kësaj fushe pyesin se deri kur Kosova do të mbetet një terren i pasigurt për investitorët seriozë, të cilëve nga pushtetarët tanë po u kërkohet mitë dhe paraprakisht edhe po u vendoset haraç. Eksperti Lulzim Beqiri, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se ekonomia e Kosovës u karakterizua me disa zhvillime pozitive, por më shumë pati zhvillime negative, të cilat ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. “Investimet e huaja vazhduan të kenë rënie. Për këtë njëri nga fajtorët është kriza politike që e shoqëroi Kosovën gjatë gjithë vitit. Por, duhet cekur se trendi i rënies së investimeve të huaja ka qenë edhe në vitet e fundit dhe fajtor kryesor i kësaj situate është korrupsioni dhe sistemi i pareformuar gjyqësor. Dështimi i privatizimi të ‘Brezovicës’ ishte lajm i keq për ekonominë e Kosovës”, theksoi ai.

Treguesit negativë

Beqiri thotë se protestat e dhunshme dhe disa storie me vështirësitë që po hasin investitorët, që kanë investuar në Kosovë, kanë paraqitur një imazh të keq për Kosovën në arenën ndërkombëtare. “Gjithashtu, edhe ika masive e mijëra shqiptarëve të Kosovë në fillim të vitit paraqiste një indikacion të keq për Kosovën. Tallje me buxhetin e tatimpaguesve kosovarë, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit janë 295.809.378 euro mjete të cilat nuk janë tërhequr apo shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890.000 euro”, vlerësoi më tutje ai. “Përse marrin kredi kur nuk i shfrytëzojnë, si pasojë pastaj janë shpenzuar afro 900 mijë euro për tarifat e zotimit për mjetet e kredive të patërhequra”, vijoi analisti Beqiri. “Ndarja e miliona eurove nga buxheti i shtetit për kompani të dështuara private dhe Ndërmarrje Publike nuk ndodh në asnjë vend të globit, janë miliona euro që zhvaten për këto kompani dhe Ndërmarrje Publike të cilat falë bordeve politike kanë arritur të sjellin kompanitë e tyre buzë falimentimit, kurse ne i falim paratë e shtetit!!!”, ka thënë ai. Ndërsa, analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se Kosova nuk do të ketë investime derisa kosovarët të pranojnë realitetin që me armikun nuk luhen lojëra. “Kjo, ngase Turqia para 2 vjetëve ka investuar në Maqedoni mbi 2 miliardë euro në ushtrinë e Maqedonisë, kurse para 1 jave i ka dhënë Qeverisë së Serbisë mbi 100 milionë euro, për investime dhe hapje të fabrikave, kurse këtu në Kosovë,Turqia ndërton xhamia”, ka theksuar ai. Sipas Grapcit, Qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë çdo investim nga Serbia dhe Turqia dhe të lejojë investitorët amerikanë, hebrenj dhe ato të shqiptarëve nga Diaspora që duan të investojnë në Kosovë.

Politikisht dhe ekonomikisht jostabilë

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu (PSD), për gazetën ” Kosova Sot”,” tha se aspak nuk duhet të çuditemi se përse sivjet do të jenë 100 milionë euro më pak investime. “Sepse, ky është një tregues i qartë se edhe me Qeverinë ‘Haradinaj’, Kosova po dështon edhe në sektorin ekonomik Por, duhet të jemi realë dhe objektivë se Qeveria aktuale është munduar që të bëjnë disa hapa, por që këta hapa kanë qenë më shumë të nivelit kozmetikë sesa hapa të cilët kanë dërguar mesazh të qartë”, u shpreh ai. “Kësaj duhet t’i shtohet edhe viti jostabil në kuptimin politik, ngase ka munguar edhe niveli i stabilitetit politik. Prandaj, në këtë kuptim ne duhet t’i shikojmë edhe investimet e huaja dhe tërheqjen e investimeve të huaja”, theksoi më tej Salihu. Ai thotë se ka shumë gjëra të cilat kanë munguar që investitorët vendorë dhe të huaj të joshen, pasi këto investime të huaja direkte nga viti në vit po bien në mënyrë shumë drastike. “Edhe me këtë Qeveri dhe koalicion, Kosova ka mbetur edhe më tej një terren i pasigurt për investitorët seriozë, prej të cilëve po kërkohet mitë dhe në shumë raste paraprakisht edhe po u vendoset haraç. Andaj, e kemi këtë situatë që ka ndikuar të kemi 100 milionë euro më pak investime”, vlerësoi ai. Sipas opozitarit Salihu, pengesë tjetër, është edhe mungesa e energjisë elektrike që është burimi kryesor pothuajse për çdo biznes, e sidomos ato të fushës së prodhimit, dhe kjo mendoj se është problemi kryesor që investitorët nuk duan të vijnë. “Përveç kësaj, është edhe mungesa e sundimit të ligjit si edhe niveli i lartë i korrupsionit e që është pengesa më e madhe për të cilën tashmë kemi dëgjuar edhe tregime të vërteta, përjetime nga bizneset të ndryshme, sidomos ato nga jashtë të cilat kanë qenë të interesuara të vijnë dhe të investojnë këtu, por për shkak të haraçit, përqindjes që është kërkuar nga zyrtarë të ndryshme qeveritarë ata kanë vendosur të ikin në vende të tjera”, shtoi Salihu. Ai thotë se sa më parë që kjo Qeveri të largohet nga pushteti, gjasat janë që për qytetarët e Kosovës dhe vendin tonë të vijnë ditë të mira.

Burokracia dhe paligjshmëria godasin biznesin

Uji Dea

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Shoqatë së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se analizat e institucioneve financiare ndërkombëtare na tregojnë se që në Kosovë ka shumë burokraci dhe mungesë të sundimit të ligjit për investime strategjike. “Andaj, kjo edhe ka qenë një nga arsyet se përse kanë ardhur deri tek dështimi i projekteve të mëdha dhe mungesa prej 100 milionësh të investimeve”, u shpreh ai. Maloku thotë se kemi mangësi të shumë çështjeve që i kemi adresuar dhe njëra prej tyre ka qenë procedurat e stërzgjatura, por edhe pamundësia që të negociohet drejtpërdrejt me investitorët. “Ndërsa, e keqe tjetër ka qenë edhe tentativa për privatizim të projekteve të mëdha,që kanë dështuar dhe për pasojë janë kompanitë e huaja që për shkak të zgjatjes së këtyre procedurave e kanë humbur durimin dhe janë tërhequr komplet nga gara”, theksoi ai. “Kosova duhet të krijojë kushte shumë atraktive që të jemi atraktivë, ngase duhet të krijojmë kushte që këta investitorë të vijnë dhe një prej këtyre kushteve është pikërisht negocimi i drejtpërdrejtë”, vlerësoi Maloku. Sipas tij, me ligjin për investime strategjike, u jepet mundësi e njëjtë investitorëve të huaj dhe të vendit.

ABAZI:”KORRIGJIMI I KUFIJVE”, ME PASOJA EKONOMIKE

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”,tha se Kosova në aspektin ekonomik ka një përmirësim të lehtë në të gjitha drejtimet, ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon, edhe pse ende e pamjaftueshme, ka përmirësim të bilancit bankar, ka përmirësim të klimës së biznesit, por ka edhe rënie të investimeve të huaja. “Shkaku për rënien e investimeve të huaja janë kryesisht marrëdhëniet e rënduara me Serbinë, e sidomos aktualizimi i korrigjimit të kufijve ka futur një frikë për një konflikt të ri shqiptaro- serb”, theksoi Abazi për “Kosova Sot”.

BEQIRI:ABUZIMI ME PARANË PUBLIKE “Çka ka ndodhur more, a ka këshilltarë ekonomie ky vend, a duhet domosdoshmërisht të dëmtohet buxhetin e shtetit? Çka duhet të më interesoj mua si qytetar a falimenton një kompani private a jo, pse duhet unë të brengosem për mospunë, thjesht paraja e shtetit nuk duhet shpenzuar udhë e mbi udhë”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”.

GRAPCI:VIKTIMAT E KËRCËNIMEVE “Disa nga arsyet se përse investitorët nuk kanë një siguri në Kosove, qëndron në faktin se ata gjithmonë janë viktima të haraçit dhe të kërcënimeve, prandaj edhe kjo është arsyeja se përse po dështojmë që të kemi investime.Andaj, që të kemi investime të mirëfillta, Qeveria e Kosovës ta largojë nga koka e tyre kërkesën për haraçin dhe lakminë për pushtet”, tha Dardan Grapci për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)