Me pamje të re Palestra Sportive “Bashkim Selishta” në Gjilan
Gjilan – Sportistët Gjilanas stinoret e reja në sportet e tyre do të kenë mundësi që ballafaqimet e tyre sportive t`i zhvillojnë në kushte tejet të mira në Palestrën Sportive “Bashkim Selishta” e cila çdo ditë e më tepër po merr një kahje shumë atraktive pas riparimeve të cilat janë bërë tani e disa muaj.
Me të drejtë Palestra e Sporteve në Gjilan është konsideruar si njëra ndër Palestrat e cila nuk i ka përmbushur asnjë kërkesë të sportistëve për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Në këtë Palestër tani e një kohë të gjatë kanë munguar gjërat elementare të sportistëve duke filluar nga higjiena, gëlqerosja, ndriçimi, ventilimi i ajrit, nxemja qendrore e shumë elemente të tjera.
Oborri i Palestrës ka qenë kaptin në vete së bashku me rrethojat e cila ka mbretëruar si deponi por tani i takon së kaluarës, duke shpresuar se tani e tutje
sportistët e Gjilanit do të krenohen me palestrën e tyre.
Sektori i Sportit i Komunës së Gjilanit i mbështetur nga kryetari i Komunës Lutfi Haziri duke e parë këtë gjendje të mjerueshme të sportistëve të Komunës i është përveshur punës duke riparuar çdo pjesë të saj.
“Është nder dhe obligim që sportistëve tanë t`ju krijojmë kushte optimale për aktivitetin e tyre sportiv, ata janë Ambasadorët më të mirë të Komunës sonë dhe në së bashku me kryetarin e Komunës Lutfi Haziri do t`ju dalim në ndihmë dhe do ti përkrahim për të mirën e tyre të qytetit tonë e së fundmi dhe të shtetit tonë”, shprehet Malazog Hoxha koordinator i Sportit në Komunën e Gjilanit.
Gjerë me tani në Palestër është kryer në tërësi ndriçimi Led, është rregulluar dhoma për personat me aftësi të kufizuara, poashtu edhe për mjekë dhe Gjyqtar të ndeshjeve, është kryer fasadimi i Palestrës brenda si dhe fasadimi i një pjese në muret e jashtme të Palestrës.
“Të gjitha këto punë janë bërë me një përpjekje të jashtëzakonshme por punët tona nuk do të ndalen me këto intervenime tani shumë shpejt do të bëhet ventilimi
i sallës fasadimi i jashtëm në tërësi, nxemja qendrore, do të vendosen të gjitha nyjet sanitare që nga fillimi, oborri i palestrës do të kryhet në tërësi dhe palestrës
do ti vendoset kulmi i ri i cili për shumë kohë ka sjell probleme të mëdha tek sportistët”, thekson Malazog Hoxha.
Edhe pse shumica e zyrtarëve gjenden në pushimet e tyre sektori i sportit me të madhe në këto ditë tropikale në asnjë moment nuk e ndal punën e tyre sportistët Gjilanas tani e tutje asnjë Palestre nuk do t`ja kenë lakmi por do të krenohen me Palestrën e tyre e cila gradualisht po merr formën e një Palestre me norma ndërkombëtare./rajonipress/


