Me një varg aktivitetesh Vitia shënoi 14 Qershorin Ditën e Çlirimit
Viti – Me seancën solemne të Kuvendit Komunal, kanë nisur sot aktivitetet për shënimin e 14 Qershorit- Ditës së Çlirimit të komunës së Vitisë. Duke iu drejtuar të pranishmëve në seancë ku ishin pos këshilltarë e përfaqësuesve të institucioneve komunale e politike, edhe përfaqësues të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, institucioneve fetare, KFOR-it amerikan dhe qytetarë të tjerë, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë Naim Pira theksoi se Vitia 17 vite më parë i dha fund një epoke të gjatë të luftës për liri e pavarësi dhe përmbysi sakrificën e këtij populli të shumëvuajtur. “14 qershori – Dita e çlirimit të komunës sonë, është ditë kur populli ynë e pa veten të lirë dhe të barabartë me kombet e tjera.
Kjo ditë ne vete na bart një histori me ndjenja të përziera me krenari e dhembje , ku dhembja është akoma pjesë e pandashme e përditshmërive tona. Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me përkrahjen e Aleancës Veri atlantike, bënë kapitullimin e shtetit serb dhe largimin e tyre përfundimisht nga trojet e Kosovës”, ka thënë mes tjerash kryesuesi i Kuvendit Naim Pira.
Ndërkaq në fjalën e tij, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke uruar qytetarët për ditën e çlirimit, ka theksuar se kjo liri erdhi fal punës , sakrificës dhe luftërave të lavdishme të shumë bijve dhe bijave të këtij vendi. “Në këtë ditë të lavdishme, krahas festës, është e udhës që ti kujtojmë dhe t`iu përulemi me pietet gjithë atyre që punuan, kontribuuan dhe dhanë jetën për liri, demokraci dhe pavarësi të Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare. Populli i Kosovës, gjatë historisë së tij deri tek liria dhe pavarësia, kaloi nëpër etapa sa të vështira aq edhe të lavdishme, pasi ky popull përkundër dhunës dhe persekutimit nga okupatori serb, që përmes aparatit shtetëror të tij të dhunës, provoi të ua ndaloi fëmijëve tanë që të mësojmë në gjuhën e tyre”, ka thënë kryetari Haliti.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe të arriturat e Institucioneve komunale në rindërtimin e pasluftës dhe angazhimin e Qeverisë aktuale për të siguruar një mirëqenie sa më të mirë për qytetarët e saj. “Komuna e Vitisë, Ditën e Çlirimit, këtë vit e prêt me shumë të arritura në të gjitha fushat e jetës, pasi falë kontributit të qytetarëve si dhe bashkëpunimit me donator të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar, kemi finalizuar apo jemi para finalizimit të qindra projekteve të cilat mundësojnë arsimim më cilësor të nxënësve, shërbime më të mira shëndetësore për qytetarët, fusha sportive për sportistët, ambiente më të përshtatshme për artistët, kushte pushimi më të mira për pensionistët, si dhe një ambient të përshtatshëm për zhvillim të biznesit, bujqësisë , blegtorisë dhe fushave tjera që ndikojnë në punësimin më të madh të qytetarëve tanë”, tha mes tjerash Haliti.
Në këtë seancë një fjalë rasti e ka mbajtur edhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve në Viti , Qemajl Rexhepi, i cili në fjalën e tij ka kërkuar nga faktori politik unifikim të interesave dhe bashkëpunim sa më të madh, në mënyrë që vendi të ecën drejt progresit dhe të arriturave të gjithëmbarshme, që ishte edhe amanet i të rënëve.
Në orët e paradites gjithashtu , përfaqësues të institucioneve komunale, familjarë të dëshmorëve, partive politike, e qytetarë të tjerë, në shenjë nderimi kanë bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Viti, mbi varret e të cilëve janë vënë kurora lulesh.
Për nder të 14 Qershorit -Ditës së çlirimit të Komunës së Vitisë, nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport , është mbajtur një program i pasur artistik, kurse po nga kjo drejtori është organizuar edhe marshi i lirisë me çiklistët vitias. Po ashtu në orët e pasdites do të zhvillohet edhe një ndeshje sportive në volejboll, që edhe shënon përmbylljen e aktiviteteve për nderë të Ditës së Çlirimit të komunës së Vitisë./rajonipress/
Fjala e kryetarit të komunës së Vitisë Sokol Haliti me rastin e 14 Qershorit-Ditës së Çlirimit të Komunës
Të nderuara dhe shumë të respektuara familje të dëshmorëve, i nderuari kryesues dhe këshilltarë të Kuvendit Komunal, përfaqësues të institucioneve komunale, partive politike, veteran të luftës së UÇK-së, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it, Gjykatës Komunale, Bashkësive Fetare, shoqërisë civile, të nderuar mysafir si dhe ju qytetarë të Vitisë.
Si kryetar komune po ju drejtohem, sot, nga foltorja e Kuvendit Komunal, që në këtë datë të rëndësishme për gjithë qytetarët e Komunës së Vitisë , 14 Qershorin, t`iu përcjellë urimet më të sinqerta, që e ardhmja të na gjejë edhe më të unifikuar drejt fitoreve të reja.
17 vite më parë më 14 qershor, pas shumë shekujve robëri qytetarët e Komunës së Vitisë, përfundimisht frymuan lirshëm.
Kjo liri e pritur me breza erdhi falë punës, sakrificës si dhe luftërave të lavdishme, të shumë e shumë burrave dhe grave të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë nga vetja e tyre që brezat e rinj të jetojnë të lirë si gjithë popujt tjerë të botës.
Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj – Në këtë ditë të lavdishme, krahas festës, është e udhës që ti kujtojmë dhe t`iu përulemi me pietet gjithë atyre që punuan, kontribuuan dhe dhanë jetën për liri, demokraci dhe pavarësi të Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare.
Populli i Kosovës, gjatë historisë së tij deri tek liria dhe pavarësia, kaloi nëpër etapa sa të vështira aq edhe të lavdishme, pasi ky popull përkundër dhunës dhe persekutimit nga okupatori serb, që përmes aparatit shtetëror të tij të dhunës, provoi të ua ndaloi fëmijëve tanë që të mësojmë në gjuhën e tyre.
U ndaloi qytetarëve që për shëndetin e tyre të kujdesen mjekët tanë, që punëtorët të punojmë në fabrikat e tyre dhe që ne të gëzojmë pasuritë tona.
E mbi të gjitha këto, na burgosi, rrahu e vrau vetëm e vetëm se ne kërkonim të drejtën që të jemi të barabartë me popujt tjerë.
Por, ishte puna e e palodhshme e mijëra aktivistëve e humanistëve, që ndanë çdo gjë nga vetja që edhe në ato kushte, fëmijëve tanë t`iu mundësojnë të mësojnë shqip, që qytetarëve t’iu mundësohet asistenca mjekësore, punëtorëve t`iu ngjallin shpresën se fabrikat ku punonin prapë do të jenë të tyre , si dhe botën ta njoftojnë për dhunën barbare të okupatorit serb.
Ishte mu kjo sakrificë arsimtarëve, mjekëve, punëtorëve, të rinjve e të rejave, si dhe politika e mençur e shoqëruar me kërkesën për pavarësi e presidentit historik Ibrahim Rugova, bashkë me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, që ne sot të festojmë lirshëm.
Në këtë ditë, secili nga ne duhet ta kujtojmë edhe NATO-në, e cila pas një fushatë të bombardimeve arriti që në këtë ditë të vitit 1999, përfundimisht, së bashku me ushtarët e UÇK-së, ta realizojë çlirimin e Kosovës .
Për këtë gjë populli i Kosovës, duhet përherë ti jetë mirënjohës miqve të saj të shumtë, në krye me shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët ndihmuan që ëndrra e lirisë dhe pavarësisë të bëhet duke ndërtuar dhe realizuar një shtet të tipit demokratik, evropian dhe perëndimor, me synime reale për t’u anëtarësuar në strukturat politike e ekonomike të Bashkimit Evropian, që të jetë pjesë e NATO-së.
Zonja dhe Zotërinj
Kjo ditë gëzimi duhet të na shërbej jo vetë si ditë feste e çlirimit, por edhe si ditë kur duhet të reflektojmë së bashku për gjithë atë që kemi bërë gjatë këtyre 17 viteve si dhe për atë që na prêt ta bëjmë në të ardhmen.
Komuna e Vitisë, Ditën e Çlirimit, këtë vit e prêt me shumë të arritura në të gjitha fushat e jetës, pasi falë kontributit të qytetarëve si dhe bashkëpunimit me donator të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar, kemi finalizuar apo jemi para finalizimit të qindra projekteve të cilat mundësojnë arsimim më cilësor të nxënësve, shërbime më të mira shëndetësore për qytetarët, fusha sportive për sportistët, ambiente më të përshtatshme për artistët, kushte pushimi më të mira për pensionistët, si dhe një ambient të përshtatshëm për zhvillim të biznesit, bujqësisë , blegtorisë dhe fushave tjera që ndikojnë në punësimin më të madh të qytetarëve tanë.
Por këto të arritura që po i shohim dhe prekim për ditë nuk duhet të na vetëkënaqin, sepse e kemi obligim ndaj gjithë atyre që kontribuuan për liri, ,çlirim dhe pavarësi, që të punojmë edhe më shumë për një të ardhme më të mirë të vendit tonë.
Krejt në fund edhe njëherë ju uroi 14 qershorin Ditën e Çlirimit të Komunës së Vitisë, me urimin që viti ardhshëm të na prêt me rezultate dhe të arritura më të mëdha.
Lavdi,dëshmorëve dhe martirëve të kombit,të të gjitha periudhave të historisë. Zoti e bekoftë vendin tonë të shtrenjtë!
Ju faleminderit!
Viti;14 Qershor 2016 Kryetari i komunës së Vitisë
Sokol Haliti





