Uji Dea

Me një varg aktivitetesh Vitia festoi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Viti – Festa e Flamurit kombëtar dhe 106 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, është shënuar sot në Viti me një varg aktivitetesh. Në orët e paradites, janë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Viti nga udhëheqës të Institucioneve komunale, subjekteve politike, organizatat e dala nga lufta, policia e Kosovës, Institucione tjera e qytetarë të shumtë.

E më pas është mbajtur tubimi qendror në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, me që rast fjalën e rastit e mbajti kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i cili mes tjerash tha se dita e flamurit dhe shpalljes së pavarësisë- 28 Nëntori, është një ndër ditët më të ndritshme dhe ndër më të mëdhatë të rilindjes kombëtare, në gjithë historinë tonë. “Liria e arritur, është vlera dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë njerëzore , e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë e përpjekje, gjak dhe vuajtje brezash. Sot, ne krenohemi me vlerat dhe kujtesën historike të popullit tonë të lavdishëm. Dhe në këtë mënyrë, sot këtu së bashku po nderojmë Ismail Qemal Bej Vlorën, burrin e madh të kombit shqiptar, nderojmë presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, nderojmë komandantin legjendar Adem Jashari, dhe përulemi para gjakut të derdhur të dëshmorëve të kombit të cilët dhanë jetën që ne sot të jemi këtu e të festojmë së bashku”, tha Haliti.

KKVITI

Ndërkaq duke folur për të tashmen, kryetari Haliti ka thënë se ne institucionet komunale, do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar e të vazhdojmë rrugëtimin që e nisën të parët tanë, që me punën dhe angazhimin tonë të krijojmë qytetarit një jetë më të mirë dhe të begatë, me të gjitha parakushtet krahas qytetarëve të shteteve tjera evropiane.

Në këtë tubim një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Qemajl Rexhepi, ndërkohë që manifestimi për nderë të 28 nëntorit, ka vazhduar edhe me një program artistik të përgatitur nga anëtarët e shoqërisë Kulturore Artistike “Jonuz Ramadani” nga Smira./rajonipress/