Me një sërë aktivitetesh Gjilani shënon Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Me një sërë aktivitetesh, Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Arsimit dhe Njësia për të Drejtat e Fëmijëve, kanë shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Fillimisht para teatrit të qytetit është mbajtur një koncert për fëmijë, ku i pranishëm ka qenë edhe nënkryetari Rexhep Kadriu, i cili në emër të kryetarit Haziri, i ka uruar fëmijët e Gjilanit për 1 qershorin, duke thënë se Komuna e Gjilanit është shembull sa i përket respektimit të të drejtave të fëmijëve.

Ai tha se Komuna e Gjilanit po punon me ngulm që t’u sigurojë arsimim sa më cilësor nxënësve, sepse janë krenaria dhe e ardhmja e Gjilanit dhe e Kosovës.

Hidromorava

Ndërkohë, sot është shënuar edhe një vjetori i formimit të Asamblesë së Fëmijëve, të cilët në sallën e Kuvendit Komunal të Gjilanit bënë pyetje nga më të ndryshmet për zyrtarët komunal, kryesisht për të drejtat e tyre dhe këta të fundit me kënaqësi u janë përgjigjur atyre.

Poashtu, një grup i fëmijëve e Gjilanit kanë vizituar ekspozitën e hapur sot në Galerinë e Qytetit me temën “Ndërtimi i Paqes”, me fotografi të nxënësve të shkollave, e cila është organizuar nga Aksioni për Ndërtimin e Paqes (ANP) me mbështetje të Komunës së Gjilanit./rajonipress/