Më në fund

Qeveria e Kosovës më në fund ka vendosur t’iu ndihmojë pak prodhuesve vendorë. Planifikohet të miratohet një ligj i veçantë, me të cilin urdhërohen të gjitha institucionet që t’u jepet përparësi kompanive furnizuese me prodhime të vendit. Aktualisht, vlera e kontratave aktuale për furnizim të institucioneve shkon mbi 500 milionë euro në vit.
Hashim Thaçi do ta ndryshojë menynë e ushqimit. Punëtorët e bufesë së Qeverisë, shumë shpejt do të udhëzohen që në sofrën e kreut të ekzekutivit dhe të anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar të mos shërbejnë prodhime të huaja.
Madje edhe orenditë e zyrës së zyrtarëve të lartë planifikohet të kenë etiketën “Made in Kosova”. Nëse është e mundur, edhe kompjuterët dhe shërbimet e tjera duhet ta mbajnë këtë mbishkrim.
Për këtë punë është debatuar gjerë e gjatë të martën në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe ata të institucioneve vendimmarrëse kanë rënë dakord se kjo është mënyra më e mirë për t’iu ndihmuar prodhuesve vendës të zhvillohen.
Gjithçka është në fazën e diskutimeve, por ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila vlerëson se do të jetë një ndihmë e madhe nëse vlera e kontratave aktuale për furnizim të Qeverisë kthehet në përfitim të prodhuesve kosovarë.
“Raporti i Komisionit për Prokurimin Publik për vitin 2011, numri i kontratave ka qenë 12 mijë e 310, në nivel të Kosovës nga Agjencitë dhe Kompanitë Publike, vlera e nënshkruar e këtyre kontratave arrin në 552 milionë euro”, ka thënë Kusari-Lila.
Vlera e kontratave, sipas llojit të prokurimit, tregon se Qeveria e Kosovës shpenzon 308 milionë euro në furnizime, 65 milionë në shërbime, 2 milionë në konkurse të projektimit dhe 179 milionë në punë.
Në gjithë këto furnizime nuk është se operatorët lokalë janë lënë anash, por produktet me të cilët ata i kanë furnizuar institucionet në pjesën më të madhe janë jovendëse.
“Nga operatorët lokalë janë marrë 411 milionë e 401 mijë euro, do të thotë shumica e kësaj shume, por ideja është që jo vetëm kontratat të merren nga operatorët lokalë, por edhe shërbimet dhe prodhimet që hyjnë në kuadër të zbatimit të këtyre projekteve të jenë me origjinë kosovare”, është shprehur Kusari-Lila.
Sipas saj, do të hartohet një ligj i veçantë për përdorimin e produkteve vendore dhe nga ky muaj do të fillojnë diskutimet me asociacionet e biznesit për trajtimin e kësaj teme, për të parë se cilat janë produktet kosovare, të cilat mund t’u shërbejnë institucioneve publike në furnizim.
“Në një ekonomi të brishtë siç është kjo e Kosovës, do të duhej një politikë, e cila i obligon të gjitha institucionet qeveritare të përdorin produkte që janë prodhim vendor në kontratat publike”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila tregoi se praktika të ngjashme aplikohen në shumë vende të rajonit, BE-së dhe SHBA-së, të cilat kanë ligjin për blerjen e produkteve të vendeve të tyre përkatëse.
Kjo ide, për njohësit e ekonomisë vlerësohet si më e mira e dalë deri më tani nga institucionet vendëse për të mirën e prodhimtarisë së vendit.
Drejtori i universitetit “Universum”, Alejtin Berisha, thotë se përveç rritjes së prodhimit, do të ndikojë edhe në uljen e papunësisë.
“Ky është hap i mirë edhe mund të stimulojë rritjen e prodhimtarisë dhe cilësisë së prodhimeve vendëse dhe në këtë mënyrë rritjen e punësimit. Si rrjedhojë, për shkak të efektit të multiplikatorit në ekonomi, vlera e atyre investimeve që mbesin brenda, shumëfishohet”, pohon Berisha.
Sipas tij, është kërkesë e hershme dhe e drejtë e Qeverisë t’i stimulojë prodhimet vendëse dhe kjo është një formë e mirë e stimulimit të prodhimit.
Në takimin e pestë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, është miratuar edhe Udhëzuesi për Vlerësim dhe Rishikim të Lejeve dhe Licencave dhe anëtarët e këshillit janë dakorduar që Ligji për Leje dhe Licenca të finalizohet deri në fund të këtij muaji.
Në këtë mënyrë, synohet që Kosova të rangohet në një pozitë më të mirë në raportin e Bankës Botërore të “Të bërit biznes”, për vitin e ardhshëm.
Synim i institucioneve të Kosovës është që vendi deri në vitin 2014, të arrijë në top 40 vendet reformatore në raportin e Bankës Botërore. Megjithatë, kur kanë mbetur edhe tri javë për të ditur nëse ka pasur përmirësime në këtë pozitë, zyrtarët janë në ethe dhe nuk kanë ndonjë përgjigje. Ata shpresojnë se do të ketë një rangim më të mirë këtë vit sesa viteve të mëhershme.(express)