RCCOLA

Më mirë se që e priste!

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

I doli më mirë se që priste. Pati debutim ëndrrash me Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën regjistroi tri fitore radhazi pa e pësuar asnjë gol. E “murosi” mbrojtjen dhe i dha shpirt ekipit. Është i kënaqur me atë që po e sheh, por kërkon të menaxhohet entuziazmi dhe të punohet edhe më shumë. I ka idetë e qarta për ekipin që do ta ketë në dispozicion për Ligën e Kombeve, ku synon të bëjë mirë. Bernard Challandes, përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës, flet për “Zërin”.

Bernard Challandes nuk e kishte menduar as në ëndrrat e tij më të mira se do ta fillonte aq mirë eksperiencën me Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Trajneri zviceran e ka ndryshuar tërësisht ekipin Verdhekaltër, i cili po bën lojëra të mira dhe po arrin rezultate të njëpasnjëshme pozitive.

Nën drejtimin e tij Kosova ka regjistruar tri fitore në ndeshje miqësore, ndaj Madagaskarit, Burkina Fasos dhe së fundmi ndaj Shqipërisë, ndërsa risi është se ekipi i tij nuk e ka pësuar asnjë gol në këto takime.

Megjithatë, ai thotë se Kosova mund të përmirësohet edhe më shumë, por që duhet qëndruar me këmbët në tokë dhe duhet punuar më shumë së bashku për arritjen e objektivave.

“Sigurisht, kjo nuk është Kosova më e mirë, pasi ne kemi edhe lojtarë të tjerë si Celina, Valon Berisha, Kryeziu, Voca e Kololli, që s’luajtën me Shqipërinë. Pra, ne e ndërtuam një ekip jo me 10 apo 20 futbollistë, por trajneri i ekipit kombëtar duhet t’i ketë në dispozicion 30 futbollistë, të cilët janë të gatshëm për të luajtur me ekipin. Pra, varet nga situata. Ndaj Shqipërisë i kishim në dispozicion disa lojtarë të mirë, për mua ishte mjaft e rëndësishme ta shihja njërin apo tjetrin futbollist. Ta shihja për shembull Avdijajn, gjithashtu edhe Ismajlin, i cili bëri lojë të mirë. Gjithashtu ishte e rëndësishme për mua t’i shihja lojtarët e rinj si Xhemaili, Broja, Feka etj. Në këtë kohë unë duhet ta ndërtoj një grup dhe më pas do të vendos në mes 25 apo 30 futbollistëve”, theksoi fillimisht Challandes për “Zërin”.

Ai shtoi se synimi i tij i dytë është që të vazhdojë me përparimin e ekipit.

Edhe pse mbrojtja ishte më e kritikuara në eliminatoret e Botërorit 2018, ai thotë se Kosova ka mbrojtje të mirë, të cilën po e ndihmon me përpikëri i tërë ekipi, që po sakrifikohet në këtë rast.

Ai është i kënaqur me presionin dhe agresivitetin pozicional që po e bëjnë lojtarët, të cilët po e realizojnë çdo kërkesë të zviceranit.

Tash ai është fokusuar edhe në përmirësimin e sulmit, se si të ndërtohet një aksion nga portieri dhe në lëvizjet nga njëri krahë në tjetrin.

Challandes nuk dëshiron të flasë për individë, pasi shprehet se kolektiviteti e sjell fitoren dhe suksesit.

Eco Higjiena

Mirëpo ai e ka përmendur Besar Halimin, me të cilin ka qenë i kënaqur për lojën që e bëri ndaj Shqipërisë.

Sidoqoftë, ai kërkon që lojtarët të qëndrojnë me këmbët në tokë dhe se populli nuk duhet të jetë shumë emocional, edhe pse është mjaft entuziast.

Challandes: Kemi përparuar, gati për Ligën e Kombeve

Challandes shprehet i kënaqur me reagimin e ekipit që prej ardhjes së tij. Ai thotë se ka parë hapa përpara të ekipit.

“Ne kemi përparuar natyrisht. Jemi përmirësuar, por duhet të punojmë edhe më shumë. Kemi bërë punë të mirë deri tash, mund të përparojmë më tutje. Tash më duhet të studioj gjithçka përpara takimit të radhës në shtator, por për mua hapi i parë si trajner i ri është të kërkoj lojtarë kandidatë për Përfaqësuese. Tash pas këtyre kampeve stërvitore mund të them se kam ide të mira dhe të qarta rreth kandidatëve. Por mundem ende të kërkoj edhe një apo dy lojtarë muajin e ardhshëm. Ndoshta lojtarë që janë në dyshim nëse do të luajnë për Shqipërinë, Kosovën ose Zvicrën. Tash mund të them, do ta kem një ekip të mirë për Ligën e Kombeve. Nëse kjo është e mjaftueshme nuk e di, se ku do të jemi nuk e di, por sot mund të them se kemi kërkuar, kam parë çka doja të shihja”, nënvizoi ai.

Me Iranin ose veç stërvitje!

Pasi dështoi miqësorja me Bregun e Fildishtë, Federata e Futbollit të Kosovës po bën përpjekje për gjetjen e një kundërshtari për miqësoren e radhës, që do të zhvillohej këtë javë.

Deri tash në opsion ishin Kongo dhe Moldavia, por së fundmi ka dalë edhe opsioni i tretë.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes zbulon se Verdhekaltrit mund të përballen të premten ose të shtunën me Iranin, i cili muajin tjetër do të luajë në Botërorin 2018.

Nëse jo, atëherë ai do t’i shfrytëzojë këto ditë për stërvitje të ekipit.

“Nëse nuk kemi kundërshtar për fundjavë, të premten të gjithë lojtarët mund të shkojnë në shtëpi dhe t’i shijojnë pushimet. Ose, nëse shkojmë në Turqi, të premten ushtrojmë në mëngjes dhe në mbrëmje mund të luajmë kundër Iranit, sepse ky ekip është në kërkim të një kundërshtari për përgatitje për Botërorin e Rusisë. Do të ishte një kundërshtar mjaft i mirë. Pra, i kemi dy zgjidhje: ose të përgatitemi për shtator, kur na pret Liga e Kombeve, ose ta luajmë miqësoren e qershorit”, ka përfunduar Challandes. /Zëri/