Më mirë me flamur të Amerikës në liri sesa me flamur të Serbisë në robëri!
Nga Mehdi Hyseni – Derisa të mos bëhet ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, më mirë t’i kemi dy shtete të pavarura me dy flamuj të ndryshëm shqiptarë, evropianë dhe amerikanë sesa një “gjysmë” Shqipërie londineze me një flamur kombëtar dhe shtetëror.
Flamuri shtetëror kaltër e verdhë i Republikës së Kosovës ( i përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës së datës 15 qershor 2008), do të jetë në përdorim, derisa Kosova të mos jetë e ribashkuar me Shqipërinë. Këtë argument ligjor dhe kushtetues, duhet ta ketë parasysh çdo lider politikë dhe çdo subjekt politik qoftë pozitë apo opozitë si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj, sepse me këtë flamur Kosova u bë e pavarur nga Serbia dhe e njohur nga 112 shtete të Kombeve të Bashkuara. Kjo është rëndësia dhe domethënia historike, politike, juridike, kushtetuese dhe ndërkombëtare e flamurit shtetëror të Kosovës(17 shkurt 2008). Pra, derisa të gjitha partitë politike dhe liderët e tyre kanë pranuar dhe njohin Kushtetutën në fuqi të Republikës së Kosovës, atëherë janë të detyruar ta zbatojnë dhe ta respektojnë atë. Në këtë frymë, duhet ta nderojnë, ta respektojnë dhe ta mbrojnë edhe Flamurin shtetëror të Kosovës. Ndryshe, do të bien në kundërshtim-shkelin Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15.06.2008). Realisht, Kosova si shtet i pavarur shqiptar, do të duhej t’i kishte edhe simbolet e saj kombëtare shqiptare (stema, flamuri, himni) sikur ta kishte çliruar Shqipëria. Mirëpo, meqë ndodhi e kundërta, Kosovën e çliroi, e shpëtoi dhe e pavarësoi Amerika me aleatët e saj evropianë perëndimorë, atëherë, erdhi në shprehje, edhe flamuri evropian perëndimor kaltër e verdh, jo flamuri kombëtar dhe shtetëror shqiptar.
Kjo është arsyeja thelbësore, pse, duhet të respektohet flamuri shtetëror i Kosovës. Flamuri kaltër e verdh triumfoi mbi flamurin e shajkaqës me kokardë çetnikofashiste gjenocidale në Kosovë! Prandaj, duhet të respektohet, të nderohet dhe të mbrohet flamuri shtetëror i Kosovës, sepse e futi në dhe përgjithmonë flamurin e robërisë serbomadhe njëshekullore në Kosovë (1912-1999). Derisa populli shqiptar dhe Shqipëria londineze zyrtarisht së bashku me qeverinë dhe me parlamentin e Kosovës e kanë duartrokitur dhe pranuar flamurin ekzistues shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe këtë e kanë njohur 112 shtete të Kombeve të Bashkuara, atëherë, nuk është e logjikshme, njerëzore, e moralshme dhe e ligjshme, që ky të kontestohet dhe të vihet në pikëpyetje nga shqiptarët, sepse Kosova nuk ka tjetër FLAMUR SHTETËROR, që ia solli lirinë më 17 shkurt 2008. – Së fundi , nëse, ne vetë e kontestojmë dhe nuk e njohim flamurin shtetëror të Republikës së pavarur të Kosovës, atëherë, pse atë, duhet ta njihnin Serbia, Rusia dhe 79 vende të tjera-anëtare të Kombeve të Bashkuara?
Mos e gënjeni dhe mos e mashtroni popullin e Kosovës! Nuk ka dyshim se e lehtë është të “ngarkosh në qerre të huaj”, e t’i udhëzosh bythëprapë shqiptarët e Kosovës, që ta refuzojnë flamurin shtetëror, i cili ua solli lirinë dhe pavarësinë historike dhe shtetërore (17 shkurt 2008). Mirëpo, e vështirë është që t’i mësosh drejt dhe për së mbari, duke ua treguar të vërtetën dhe realitetin, pse, duhet ta respektojnë dhe ta mbrojnë atë flamur shtetëror, jo ta injorojnë dhe ta përbuzin, sepse në këtë mënyrë do ta kontestonin dhe do ta mohonin pavarësinë e Kosovës, si dhe luftën dhe mbështetjen e Amerikës dhe të NATO-s për çlirimin dhe për pavarësimin e saj historik. Me një fjalë, të gjithë ata që nuk e njohin flamurin shtetëror të Kosovës, konsiderohen jo vetëm kundërshtarë të lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, por edhe oponentë potencialë të Amerikës dhe NATO-s. Një pozicionim i tillë negativ politik i gabuar ndaj flamurit shtetëror kaltër e verdh, mirëfilli, do të çonte edhe në prishjen e marrëdhënieve me Amerikën, me NATO-n dhe me BE-në. Ky do të ishte edhe fundi i pavarësisë unilaterale të Kosovës. Një veprim i tillë i politikës së gabuar, Kosovën do ta kthente sërish nga e para, involvimin direkt dhe indirekt të Serbisë dhe të Rusisë në gllabërimin e Kosovës sikurse këtu e 100 vjet më parë (1912- 1999).
Këtë e paralajmëron edhe VETO-ja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, e cila ka “ngrirë” Rezolutën 1244 të KS, që mohon pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, një rrezik të tillë të zhvlerësimit të statusit të pavarësisë së Kosovës, që tani e vë në dukje dialogimi i Beogradit me Prishtinën në Bruksel nën patronatin e BE-së (2012-2016) sipas së cilit, së pari, do të formohet “Srpska zajednica” e të gjitha komunave serbe në Kosovë, që pas saj fshihet kantonizimi autonom politik, juridik, kushtetues, administrativ dhe territorial i entitetit serb, lidhur ngushtë me Beogradin për të minuar shtetin e pavarur të Kosovës. Gjithashtu, rrezikun e rikthimit të sovranitetit kolonial të Serbisë në Kosovë e dëshmon, edhe moscaktimi i kufijve shtetërorë të Kosovës me Serbinë, ngaqë Beogradi sipas Kushtetutës së Serbisë (2006) Kosovën e quan “territor të Serbisë”. Prandaj, ky është, edhe shkaku, pse Beogradi nuk po pranon kurrfarë demarkacioni me Kosovën, mbase e konsideron “territor të vetin”!
Refuzimi dhe injorimi i flamurit shtetëror të Kosovës nuk është kurrfarë akti patriotik Flamuri, stema dhe himni shtetëror i Republikës së Kosovës, do të vihen në “arkivin historik” vetëm pasi Kosova të ribashkohet me Shqipërinë! Ndryshe, hëpërhë, duhet të respektohet flamuri i pavarësisë së Kosovës, ngase me ëndrra, me rrena, me spekulime, me mashtrime, me premtime boshe dhe me vetëkënaqësi hedoniste 100-vjeçare “nuk shkohet në parajsë”. Pra, vetëm pasi Kosova të ribashkohet me Shqipërinë, si një shtet i përbashkët, atëherë do të ketë edhe të njëjtin Flamur Kombëtar dhe Shtetëror Kuqezi! Kjo është logjika e filozofisë racionale e përdorimit të flamurit kombëtar dhe shtetëror shqiptar.
Andaj, durim derisa Kosova të ribashkohet me Shqipërinë, të mos injorohet flamuri shtetëror evropian i Kosovës së pavarur, sepse është rrezik vampirizimi i flamurit serbomadh në Kosovën shqiptare. Fundja, duhet të jemi realistë, sepse historia e derisotme 100-vjeçare (madje, edhe gjenocidi i fundit serb në Kosovë, më 1989-1999, ku mbi 2 milionë gjysmë shqiptarë, ushtarakisht nuk i ndihmoi shteti shqiptar) dëshmoi se sa për Shqipërinë londineze (1913), një injorim i tillë, do të na rikthente prapë nën flamurin kolonial dhe gjenocidal të Serbisë (1912- 1999). Ky do të ishte fatalitet për Kosovën e Shqipërisë Etnike, sepse do ngelnim të vetmuar pa Amerikën-superfuqinë botërore, Aleaten, Miken dhe Shpëtimtaren e Kosovës (1999-2016).
Prandaj, më mirë të lirë dhe të pavarur nën flamurin shtetëror evropian kaltër e verdhë dhe të Amerikës sesa nën Flamurin e robërisë shekullore kolonialiste të Serbisë (1912-1999). Pra, derisa të mos bëhet ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, më mirë t’i kemi dy shtete të pavarura me dy flamuj të ndryshëm shqiptarë, evropianë dhe amerikanë sesa një “gjysmë” Shqipërie londineze me një flamur kombëtar dhe shtetëror. Refuzimi dhe injorimi i flamurit shtetëror të Kosovës nuk është kurrfarë akti patriotik e as racional kombëtar, politik dhe diplomatik, sepse me platforma false dhe me deklarata boshe retorike, nuk bëhet kurrfarë ribashkimi kombëtar, së këndejmi, as ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
(Kosova Sot)


