FIDANISHTJA

Me “Mercedes” drejt NATO-s

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Lavdim Hamidi – Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, ka vendosur që pjesëtarët më të mirë të ushtrisë së ardhshme të Kosovës t’i dërgojë drejt NATO-s me xhipa “Mercedes”, kur vendi të anëtarësohet në Aleancën Veri-atlantike.

Thuajse shumë punë të tjera në drejtim të anëtarësimit tashmë janë kryer dhe ka mbetur vetëm pranimi formal nga vendet anëtare të NATO-s, duke ia rezervuar kështu Kosovës edhe numrin e anëtarit të 29-të.

FSK s’i duket nuk ka mungesë të armatimit më modern, por ka mbetur keq vetëm për tetë xhipa “Mercedes Benz”, e cila kërkesë i është plotësuar, duke paguar kështu hiç më pak se 720 mijë euro nga buxheti i shtetit.

Tek e fundit nuk janë me rëndësi paratë, kur është në pyetje ushtria. Me rëndësi është që në momentin e anëtarësimit në NATO, ushtria e Kosovës të mos dallojë shumë nga ushtritë e shteteve më të zhvilluara në Evropë, sepse kështu do ta zbehte imazhin e anëtarit më të ri.

Megjithatë, shteti më i ri në Evropë, i cili aspiron të anëtarësohet në NATO ka shumë prioritete tjera për t’i zgjidhur në vend, para se ta nisë rrugën e gjatë drejt kësaj Aleance.

Zgjidhja e problemeve ekonomike dhe sociale është më urgjente se sa blerja e një xhipi që ka vlerë 90 mijë euro. Në fund të fundit këto automjete nuk ia rrisin vlerën ushtrisë së ardhshme e as shtetit, pasi që kjo paraqet një imazh të rrejshëm, kur e gjithë bota e di kapacitetin ushtarak e ekonomik të Kosovës.

Nuk po e mohoj faktin se FSK-së i duhen xhipa të tillë, ashtu siç i kanë në dispozicion edhe ushtritë e vendeve të zhvilluara. Por, nuk mund të sillemi sikur kemi një ushtri që lëviz me automjete më moderne, derisa popullata jeton në varfëri të skajshme.

Hidromorava

Institucionet e Kosovës sivjet dështuan t’i sigurojnë 250 mijë euro për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike dhe si pasojë e kësaj qytetarë të shumtë po vdesin nga pickimi i rriqrave, ndërsa nuk e kanë as problemin më të vogël që t’i gjejnë miliona euro për vetura luksoze.

Nëse është shumë e nevojshme, shumë më mirë do të ishte që gjeneral Çeku t’i blejë kësaj radhe FSK-së pesë xhipa “Mercedes Benz” për 450 mijë euro dhe 270 mijë euro të tjera t’i bartë në llogarinë e Ministrisë së Shëndetësisë për pastrimin e terreneve në Komunat e Malishevës, Gjakovës,… nga rriqrat. Dhe kështu do të shpëtonim shumë jetë të qytetarëve.

Apo shumë më mirë do të ishte sikur kryeministri Hashim Thaçi në vend se të ndajë dhjetëra miliona euro për të gjitha institucionet e vendit për blerje të veturave, servisim të automjeteve, shpenzime për derivate, këto mjete t’i orientojë në hapjen e vendeve të reja të punës, në mënyrë që qytetarë të shumtë të mos detyrohen të ikin masivisht nga Kosova për në Evropë, në mungesë të perspektivës në vend.

Shumë prej atyre që po ikin madje janë shprehur se nuk dëshirojnë të kthehen në vendlindje. Pra, më mirë preferojnë të qëndrojnë në kampet hungareze se sa të kthehen në shtëpitë e tyre.

Për të mos u kthyer në Kosovë, 30 veta të premten kanë hyrë në grevë urie dhe po kërkojnë me çdo kusht azil nga Hungaria, madje njëri prej kosovarëve si shenjë revolte së fundi ka tentuar të bëjë vetëvrasje në kamp.

Shpenzimi i institucioneve për blerjen e xhipave “Mercedes Benz”, pa i zgjidhur problemet tjera më akute në vend mund të ilustrohet më së miri me thënien popullore: “Fshati digjet, kurva krihet”.