UBT

Me lista të pastra

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Partitë kryesore politike në Kosovë janë duke punuar intensivisht në përpilimin e listave zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen sivjet. Sipas përfaqësuesve të këtyre partive, në këto lista nuk do të ketë asnjë kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës i cili ka probleme me ligjin.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për “Epokën e re” javën e kaluar, pati bërë me dije se në listën zgjedhore të PDK-së për deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk do të ketë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin.

“Askush nuk mund të futet në listën e PDK-së për deputet të Kuvendit i cili është nën hetime për korrupsion, krim të organizuar apo për dukuri të tjera negative. Në këtë drejtim të gjitha partive politike do t’u propozojmë të kenë lista me kandidatë të pastër”, është shprehur Thaçi.

Në këtë kontekst, Thaçi u ka bërë ftesë partive të tjera politike ta ndjekin shembullin e PDK-së. “E ftoj të gjithë spektrin politik të Kosovës, ta ndjekë shembullin e PDK-së, që në listat e tyre mos të ketë njerëz që janë në investigim për çështje kundërligjore”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se në listën e PDK-së për deputetë do të kandidatë të respektueshëm.

“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të ketë një listë me njerëz eminentë, me vlera civilizuese dhe me kredibilitet të fuqishëm kombëtar, demokratik dhe politik. Pra, do të kemi kandidatë për deputetë të cilët janë të respektueshëm nga komuniteti ku jetojnë”, ka deklaruar Thaçi.

Uji Dea

Përkitazi për këtë çështje ka folur edhe Arben Gashi, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ka thënë për “Epokën e re” se asnjë nga kandidatët potencialë të LDK-së për deputetë të Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e ardhshme nuk ka probleme me ligjin.

“LDK-ja nuk ka njerëz që kanë problem me ligjin. Asnjë kandidat potencial i LDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës nuk ka probleme me ligjin. Janë partitë e tjera që kanë probleme të kësaj natyre, jo LDK-ja”, ka deklaruar ai. Gashi ka bërë me dije se LDK-ja është në proces të përgatitjes së listës me kandidatë për deputetë të Kuvendit për zgjedhjet e sivjetshme parlamentare. “Jemi në përgatitje të listës për kandidatë për deputetë”, është shprehur Gashi.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka thënë për “Epokën e re” se asnjë parti politike nuk duhet të marrë guximin për të prezantuar kandidatë për deputetë, të cilët kanë probleme me ligjin.

Ramadani ka deklaruar se AAK-ja është prijatare për pastërtinë e njerëzve para ligjit. “Në fakt, është AAK-ja e cila është duke insistuar që kjo logjikë të hyjë në politikën kosovare. Ne për vite të tëra jemi duke thënë, se nuk duhet dhe nuk bën të ketë njerëz që kanë probleme me ligjin, as në kandidim e as në qeverisje. Realisht AAK-ja është prijëse për pastërtinë e njerëzve para ligjit”, ka thënë Ramadani, i cili ka kërkuar nga partitë e tjera politike ta ndjekin shembullin e AAK-së.

“Presim që partitë e tjera të mos kandidojnë apo mos të rikandidojnë njerëz që kanë probleme me ligjin. Realisht partia qeverisëse me këtë logjikë sigurisht nuk duhet ta kandidojë shumicën dërrmuese të Qeverisë”, ka thënë Ramadani, duke bërë me dije se AAK-ja e ka gati listën me kandidatë për deputetë për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen sivjet. “Qysh moti kemi thënë se jemi gati për zgjedhje në të gjitha aspektet, përfshirë edhe listën zgjedhore”, është shprehur Ramadani. /Telegrafi/