Mobi Casa

Me ligj të veçantë do të rregullohen kërkesat e minatorëve të “Trepçës”

/ 6 minuta lexim

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se kërkesat e minatorëve të “Trepçës” për përfshirjen e çështjeve sociale duhet të bëhen me një ligj të veçantë.

“Ligji i veçantë e rregullon çështjen e të gjithë punëtorëve të ‘Trepçës’, por nevojitet kohë që ne të fillojmë ta draftojmë një ligj të tillë qoftë me iniciativë nga komisioni parlamentar, qoftë nga Qeveria apo MZhE-ja, i cili pastaj shkon në Kuvend dhe do ta merrte përkrahjen e të gjitha partive politike”, është shprehur Lluka.

Minatorët e “Trepçës” kanë pezulluar të premten grevën e përgjithshme të cilën e kanë filluar ditë më parë, falë një marrëveshje në mes të Qeverisë dhe minatorëve.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka thënë se kërkesat e minatorëve për përfshirjen e çështjeve sociale duhet të bëhen me ligj të veçantë, njëlloj për të gjitha ndërmarrjet shoqërore në Kosovë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Lluka ka thënë se sikur të përfshihen çështjet sociale në draftstatut atëherë rrezikohet që mos të ketë investitorë të huaj për “Trepçën” për faktin se asnjë investitor nuk mund ta marrë barrën sociale dhe t’i paguajë pensionet e tyre.

“Problemi është se në asnjë vend në botë nuk përfshihen çështjet sociale në statutin e ndërmarrjeve. Kur të rregullohet çështja e minatorëve duhet të rregullohet në tërësi për të gjithë Kosovën, pra si në ‘Trepçë’ apo kudo. Nuk është problem mosha 50 apo 55-vjeçare, sepse ata dalin në pension dhe marrim punëtorë të rinj, por problem është paga 70 për qind. Por, kjo çështje tash, pas pezullimit të grevës, do të diskutohet me ekspertë”, ka deklaruar Lluka.

Ai ka shtuar se në statut nuk ka vend për përfitime sociale.

“Në statut nuk ka vend për përfitime sociale. Ato duhet të rregullohen me ligj të veçantë, sepse nëse lihet ashtu, atëherë s’ka peshë për të gjithë punëtorët që punojnë në miniera. Nëse bëhet me statut atëherë do ta ngarkojë ‘Trepçën’ me të gjitha ato pensione, dhe në këtë mënyrë asnjë investitor i huaj nuk vjen për ta marrë gjithë këtë barrë në kompani. Andaj, kjo duhet të rregullohet me ligj dhe të paguhen nga buxheti i Kosovës. Unë s’jam kundër kërkesave të tyre për çështje të tjera”, ka thënë Lluka.

Ai ka theksuar se ligji i veçantë do ta rregullonte çështjen e punëtorëve të “Trepçës”.

Uji Dea

“Ligji i veçantë e rregullon çështjen e të gjithë punëtorëve të ‘Trepçës’ sikurse arsimtarët që kërkojnë zgjidhje që prej vitit ’89. Ata duhet ta dinë se një ligj nuk bëhet brenda një apo dy jave. Nevojitet kohë më tepër që ne të fillojmë dhe ta draftojmë një ligj të tillë, qoftë me iniciativë nga komisioni parlamentar, qoftë nga Qeveria apo MZhE-ja, i cili pastaj shkon në Kuvend dhe që do ta merrte përkrahjen e të gjitha partive politike”, është shprehur Lluka.

I pyetur nëse do të mund ta shtynte përpara draftimin e këtij ligji gjatë mandatit të tij si ministër, Lluka ka pohuar se me kryeministrin janë zotuar bashkë që të drejtat e punëtorëve të “Trepçës” do t’i mbrojnë me ligj.

“Kësaj i qëndrojmë pas. Është me rëndësi për të pasur dialog social mes nesh”, ka deklaruar ministri Lluka. Ai ka bërë me dije se minimumi pesëmbëdhjetë herë është takuar me përfaqësues të sindikatës së “Trepçës”. “Ideja ka qenë për t’u qëndruar afër, për ta rregulluar sa më shpejt çështjen e punëtorëve. Këtë e ka premtuar edhe kryeministri. Unë po them se do të ketë zgjidhje, por nuk e di a mund ta bëjmë sipas kritereve strikte të tyre”, ka thënë ministri Lluka.

Ai ka thënë më tutje se rreth kësaj çështje është me rëndësi të ketë një balancë mes asaj që po kërkohet dhe asaj çfarë janë mundësitë.

“Nuk duhet të shkojmë vetëm përmes popullzimit dhe të themi se, po, mund ta keni 70 për qind të pagës kur dilni në pension. Kjo ka mbetur të diskutohet me ekspertë. Do të ishte është mirë që minatorët ta kuptojnë se nuk duhet të rëndohet buxheti, që mos të vijmë në një pozitë që pas 30 vjetësh, kur do të kemi mijëra punëtorë në pension e buxhet jashtëzakonisht të ngarkuar. Kjo çështje duhet të shikohet në planin afatgjatë. Tani për tani janë diku 600 punëtorë. Mendoj se ka hapësirë për diskutime dhe këtë do ta diskutojmë me Sindikatën e ‘Trepçës’“, është shprehur ai.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se edhe kërkesa e studimit të fizibilitetit për t’u kthyer në pikën zero, të cilën e kërkon sindikata, është problematike dhe me kosto të lartë për Kosovën.

“Një çështje tjetër që po kërkohet është anulimi i studimit të fizibilitetit që është bërë më herët dhe fillimi nga pika zero. Edhe këtu nuk e di pse e kanë këtë arsye. Pra, pse e bëjnë këtë kërkesë, pasi janë shpenzuar 700 mijë euro për fizibilitet nga AKP-ja. Për ta anuluar këtë paraqiten probleme të mëdha, për faktin se fizibiliteti është bërë nga ekspertë të huaj dhe nga një kompani angleze. Megjithatë, kjo mund të diskutohet nëse ka bazë për të dalë nga pika zero. Besoj se për minatorët problem kyç mbeten diskutimet sociale, kurse kërkesat e tjera besoj se janë të diskutueshme dhe të pajtueshme”, ka thënë Lluka.

Ai ka theksuar se Komisioni Parlamentar ka parë se përfitimet sociale duhet të zgjidhen me ligj e jo me statut.

“Ligji e përcakton qartë se të gjitha asetet që kanë potencial për t’u bërë aktivitet ekonomik duhet të përfshihen në statutin e ndërmarrjes. Ato që s’kanë potencial mund të largohen nga ndërmarrja. Aktualisht rroga mesatare në ‘Trepçë’ është 850 euro dhe po flasim për një pension prej 550-600 eurosh”, ka thënë Lluka.