Me Kuçin ministër, drejtësia drejt rrënimit

Ndikimet politike bllokuan reformat. Ministria e Drejtësisë, përgjegjëse për degradimin e skajshëm
“Sistemi i drejtësisë ka nevojë për transformim rrënjësor, por kjo nuk mund të arrihet me një ministër si Hajredin Kuçi dhe as me një Qeveri të dështuar e të korruptuar siç është kjo e Mustafës”, theksoi deputetja Albulena Haxhiu
Sektori i drejtësisë mbetet ndër më të dobëtit, ndërsa përgjegjësit po i bëjnë bisht llogaridhënies për dështimin. Prej muajsh, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nuk shfaqet për publikun, duke anashkaluar përgjegjësitë që ka në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.
Në indeksin e këtij viti të ‘Transparency International’ mbi perceptimin e korrupsionit në sektorin publik, theksohet se Kosova nuk ka shënuar përparim në këtë fushë.
Prokuroria dhe gjykatat në anën tjetër ende nuk arritën që të ofrojnë një ambient të besueshëm për qytetarët dhe të krijojmë një vend ku nuk mungon drejtësia dhe efikasiteti në këtë sektor aq krucial për një shtet.
Gjithashtu, duke ditur rëndësinë që ka integrimi evropian për Kosovën vlen të ceket që një nga shtatë konkluzionet e dala nga Këshilli Evropian për shtetin e Kosovës në fund të vitit që lamë pas përfshin rëndësinë që ka sistemi i drejtësisë në këtë rrugë, si dhe përkushtimin që shteti duhet të ketë në reformimin e domosdoshëm për të përmbushur detyrimet që dalin nga MSA-ja.
Puna e Ministrisë së Drejtësisë reflekton dukshëm në jetën në vend dhe puna e saj nuk ndikon vetëm një lëmi të vetme, por ndikimi i saj mbetet më i larmishëm se kaq. Zhvillimi dhe zbatimi i politikave për të siguruar qasje të drejtë dhe efektive në sistemin e drejtësisë për të gjithë pjesëtarët e komuniteteve në pajtim me ligjin në fuqi, zhvillimi i politikës brenda fushës së saj të përgjegjësisë, si dhe mundësimi i përgatitjeve dhe zbatimit të legjislacionit në fushën e drejtësisë janë vetëm disa nga pikat që janë pjesë e misionit të kësaj ministrie./kosova sot/