Eko Higjiena

Me këta deputetë mund të bësh gjithçka

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Parlamenti i ardhshëm mund t’i ketë 140 deputetë, pesë prej të cilave do të delegohen nga Komunat Veriore.Kryeparlamentari Jakup Krasniqi është kundër kësaj ideje. Por ai shton se “me këta numra, me këtë përbërje të Kuvendit, gjithçka është e mundshme”.

Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi nuk sheh asnjë pengesë për të ndryshuar Kushtetutën e Kosovës për t’ia përshtatur marrëveshjes së arritur me Serbinë, shkruan Express.

Këtë konstatim, ai e bazon në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, të cilët pavarësisht se a janë në pozitë apo opozitë i mbështesin nismat e Qeverisë.

Kështu ka ndodhur edhe natën e 21 prillit kur 89 deputetë i dhanë votën pro 15 pikave të marrëveshjes së arritur me Serbinë në Bruksel.

“Nëse kemi parasysh miratimin e panevojshëm që i është bërë 15 pikave në Kuvend dhe i kanë marrë 89 vota, atëherë gjithçka është e mundshme”, thotë Krasniqi në një intervistë për Gazetën Express.

“Me këta numra, me këtë përbërje të Kuvendit, gjithçka është e mundshme”, ka shtuar ai.

I pyetur për mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës si pasojë e pajtimit të Kosovës dhe Serbisë, Krasniqi përgjigjet se ende nuk e kanë dokumentin zyrtarë të marrëveshjes.”Varet se çka përmban marrëveshja. Qeveria ka deklaruar se marrëveshja është e tillë që nuk prek as Dokumentin e Presidentit Ahtisaari dhe as Kushtetutën. Dhe, nëse është kështu s’ka nevojë të ndryshohet. Por, nëse përmbajtja e marrëveshjes është tjetër, që ne nuk e kemi materialin zyrtarë, atëherë sigurisht që edhe kërkon ndryshime edhe të ligjit edhe të Kushtetutës”.

Mobi Casa

Ndryshe, burime ndërkombëtare të Express kanë sqaruar se në vjeshtën e këtij viti do të nisin procedurat për ndryshimet e Kushtetutës sa i përket përbërjes së Kuvendit. Në vend të 120 deputetëve, Kuvendi i ardhshëm pritet të ketë 140 deputetë, pesë prej të cilëve do të jenë të komunave Veriore.

Kryeparlamentari e sheh krejtësisht të panevojshëm rritjen e numri të deputetëve për shkak të numrit të banorëve që ka Kosova.
“S’ka arsye të shtohet numri i deputetëve përveç nëse Marrëveshja është e tillë atëherë varet prej disponimit të partive më të mëdha parlamentare në Kuvend. Nëse ata i bëjnë numrat edhe mund ta ndryshojnë edhe Kushtetutën”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, mundësinë e ndryshimeve të tilla, Krasniqi thotë se nuk dëshiron ta komentojë me arsyetimin se ende s’kanë asgjë zyrtare.
“Realisht nga kjo që po thuhet pa e pas një material nuk ia vlen të them diçka për këtë çështje. Ne nuk kemi një marrëveshje mbi bazën e të cilës do ta thonim mendimin tonë më të qartë”.

Megjithëkëtë, Kryetari i Kuvendit është kundër rritjes së numrit të deputetëve. Ai e krahason numrin e banorëve të Sllovenisë dhe thotë se mbi këtë bazë Kosova duhet të zvogëlojë numrin e deputetëve.

“Mendimi im është që Kosova edhe ashtu ka shumë vende në parlament duke u bazuar në numrin e popullsisë krahasuar me vendet që kanë numër të përafërt të banorëve. Shembull është Sllovenia me numër përafërsisht ne numër të njëjtë të banorëve me Kosovën dhe ka diku rreth 90 deputetë”, ka thënë ai.

Krasniqi bashkë me katër deputetë të tjerë ka votuar kundër në votimin për t’i dhënë përkrahje marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa vetëm dy kanë abstenuar. Pro saj, kanë votuar 89 deputetë, përfshirë edhe ata të dy partive opozitare – LDK dhe AAK.