ZN

Me kërbaç kundër inflacionit

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, valuta iraniane – rial – po e humbet vlerën e saj me shpejtësi të madhe. Por, inflacionin në rritje në vend, presidenti Ahmadinejad po synon ta mposhtë me polici. Ditë më parë, ai dërgoi policinë në Bazarin e Teheranit për të kapur tregtarët me deviza.

Në tregun iranian, disa prej valutave të huaja tani vlejnë tri herë më shumë se në fillim të vitit. Kështu, për shembull, në fillim të kësaj jave një dollar amerikan në Teheran vlente 34,200 rial iranianë, gjë që shtyu presidentin e vendit, Ahmadinejad, të premtonte një intervenim të shpejtë në treg.

Por, që në ditën e ardhshme riali ra edhe më tepër. Për një dollar duhej të paguhej 37,500 rialë. E atëherë, të mërkurën, banorët e Teheranit patën rastin të shohin se çka do të thotë “intervenimi në tregun revizor”, në stilin iranian. Në Bazarin e Teheranit – gjegjësisht në vendin ku tradicionalisht përmbyllen të gjitha punët, përfshirë edhe ato bankare – u dërguan forca të fuqishme policore, me qëllim të kapjes “së tregtarëve ilegalë me deviza”. Me këtë rast pati edhe trazira të vogla, megjithëse edhe ashtu shumica e tregtarëve kishin vendosur që atë ditë të mos i kryenin punët e tyre të përditshme.

Gjendja vetëm sa do të përkeqësohet

Duk marrë parasysh ligjin themelore, të ofertës dhe të kërkesës, ky aksion policor sigurisht që vetëm sa do të shkaktojë një rënie edhe më të shpejtë dhe më të thellë të valutës kombëtare iraniane. Sepse, kur zakonisht një president i shtetit premton “intervenimin” në tregun e devizave, kjo nuk nënkupton dërgimin e rrahësve në tregun revizor, por atë se shteti do të lëshoj në treg një sasi të mjaftueshme të devizave për uljen e vlerës së tyre. Por, Irani i këtyre ditëve këta dollarë dhe këto deviza qartazi që nuk i ka.

Sanksionet ekonomike kundër ndonjë shteti rrallëherë shkaktojnë ndryshimin e kursit të tij politik, edhe pse nuk ka asnjë dyshim se, në rastin e Iranit, sanksionet ekonomike po e godasin këtë vend shumë më rëndë sesa që qeveria në Teheran është e gatshme të pranojë.

Izraeli, i cili – për shkaqe të vetëkuptueshme – po përcjellë me shumë vëmendje se ç’po ndodhë në Iran, vlerëson se Irani deri më tani ka humbur mes 45 dhe 50 miliardë dollarë vetëm për shkak të të hyrave të parealizuara nga nafta.

Presidenti i Iranit, Ahmadinejad qysh tani po deklaron se kundër vendit të tij po udhëhiqet një luftë e pashpallur.

Hidromorava

“Armiqve tanë u shkoi pjesërisht për dore që të ulin shitjen e naftës. Shpresojmë se do të mund ta kompensojmë këtë gjë. Kjo sëpatë një betejë. Gjithkush e di se për ekonominë iraniane tregtia me jashtë dhe raportet me shtete e tjera nuk luajnë ndonjë rol të madh. Kjo, para së gjithash, është një luftë psikologjike, e cila ka pasoja të mëdha për tregjet”, theksoi ai.

Mielli, edhe më rrezikshëm se dollari

Por, përderisa presidenti dhe kreu i Republikës Islamike pohojnë se embargoja kundër shtetit të tyre nuk po lë pasoja aq të mëdha, sanksionet ekonomike ndërkombëtare dhe rritjen e pandërprerë të çmimeve të artikujve jetësor po i ndien bukur shumë shtresa e mesme e banorëve të Iranit. Duke siguruar të ardhurat elementare, si dhe subvencionimin e artikujve elementarë për jetë, qeveria e Teheranit ende po e gëzon përkrahjen e shtresës më të varfër të vendit.

“Për të gjithë të tjetër, të cilëve kjo gjë nuk u mjafton, jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, ankohet një mësuese nga Teherani. Ajo tregon se më nuk është në gjendje që të blejë rroba dhe këpucë, sepse duhet të mendoj që nga rroga t’i mbesin mjaft para edhe për dy fëmijët e saj.

Shumë sipërmarrës të vegjël në vend tani merren me stërshitje, sepse ajo që fitojnë nga veprimtaritë e tyre nuk u mjafton për mbulimin e shpenzimeve, ankohet pronari i bankrotuar i një punëtorie për përpunimin e metaleve.

“Për të kursyer, shumë iranianë më nuk dalin fare që të blejnë diçka. Disa prej artikujve themelorë të jetesës janë bërë luks. Shumë restorante që dikur ishin përplot mysafirë, sot janë të zbrazët”, tregon ai.

Aksioni policor në Bazarin e Teheranit gjithsesi se do të ketë edhe pasoja të tjera. Përveç që do ndikojë në rënien e mëtutjeshme të valutës iraniane, ata që dëshirojnë të pasurohen shpejtë, në vend se me “punën e rrezikshme” me deviza, tash tutje – falë shtetit – më me dëshirë do të fillojnë të merren me stërshitjen e artikujve themelorë për jetesë. E, kur iranianëve të varfër t’i harxhohet mielli, sanksionet ekonomike shumë lehtë mund të shndërrohen në protesta të hapura të tyre kundër Qeverisë në Teheran. (DW)