UBT

Me Demaçin në Vjenë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Në kuadër të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, Ambasada e Kosovës në Vjenë organizoi takimin letrar dhe promovimin e kompletit të veprave të Adem Demaçit. Të dy këto aktivitete u sponsoruan nga Qeveria e Kosovës.

Në kuadër të veprimtarive kulturore-artistike, që organizon Ambasada e Kosovës në Vjenë të Austrisë, këto ditë u mbajt edhe një mbrëmje letrare me shkrimtarin Adem Demaçi. Me këtë rast u bë edhe përurimi i kompletit të veprave të tij, botimin e të cilit e sponsoroi Qeveria e Kosovës.

Para publikut të shumtë në sallë, në mesin e të cilëve ishte edhe kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Austrisë, Sidonia Gall, si dhe shkrimtarë të tjerë, ambasadori i Kosovës, Sabri Kiçmari, foli për veprimtaritë e Ambasadës në fushën e artit dhe kulturës, derisa u ndalë tek vetë figura e Adem Demaçit.

Një prezantim për jetën dhe veprën e Demaçit e bëri Shyqri Galica, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

UBT

“Tashmë ka dalë nga shtypi vepra e shumëpritur dhe e kompletuar e shkrimtarit, publicistit dhe politikanit, Adem Demaçi, vepër kjo që tashmë ka parë dritën si komplet, edhe pse është vetëm një pjesë e veprës së gjerë të këtij shkrimtari të veçantë të letërsisë shqipe”, theksoi Galica.

Pjesë e kompletit të veprave të Demaçit, të botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, janë dhjetë vepra: vëllimi i tregimeve “Fërkime”, romanet “Gjarpinjtë e gjakut”, “Libër për Vetëmohimin”, “Heli e Mimoza”, “Nëna Shegë dhe pesë gocat”, “Shkrumbnajë e dashuri”, “Dashuria kuantike e Filanit” dhe “Arb Prometeu”, drama “Politika dhe pushka” dhe përmbledhja poetike “Tung, vargu im” – në kuadër të së cilës është botuar edhe një punim i gjatë i Rexhep Qosjes mbi veprimtarinë letrare e atdhetare të Demaçit.

Ndryshe, në krijimtarinë letrare artistike Demaçi tash e tutje do të njihet si Adem Demaqi.