Me ardhjen e mërgimtarëve vije edhe terri
Gjilan – Sllogani i Komunës së Gjilanit “Mirë se vini bashkatdhetar” është i realizuar perfekt dhe ka një tërheqje simpatike për publikun. Por në fakt ky slogan vlen vetëm pak minuta sepse mërgimtarët qysh ditën e parë u ballafaquan me mungesën e ndriçimit publik.
Edhe pse Komuna e Gjilanit ka bërë përgatitjet e nevojshme për të pritur sa më mirë mërgimtarët, megjithatë nga pakujdesia dhe joserioziteti i duhur po pësojnë sërish mërgimtarët.
Mërgimtarët pothuajse pak përfitojnë nga qëndrimi i tyre në Kosovë. Bile të paktën rryma dhe ndriçimi nuk do të duhej të ishin problem për ta. Qysh ditën e parë të ardhjes ata u ballafaquan me mungesën e ndriçimit publik.
Lagje të tëra të Gjilanit kanë mbetur pa ndriçim publik. KEDS-i ka pasur probleme me Kosovën A dhe për pasoj shumë qytete janë në terr.
Edhe Lutfi Haziri ndihet keq që mungon ndriçimi publik. “KEK-u ka probleme me Kosovën A dhe ne po mundohemi me menaxhue situatën” tha shkurt Haziri për rajonipress.
Mërgimtari Hydajet Ramadani ndihet i zhgënjyer që ditën e parë. “Erdha në shtëpi dhe nuk ka shkuar as dy orë dhe u ndal ndriçimi publik. Rruga u errësua dhe lagjja dukej shkretë. Vërtet nuk i meritojmë këto padrejtësi sepse ne gjithçka po japim që Kosova të jetë e rregulluar e me infrastrukturë moderne. Ndriçimi është më e pakta që mundet të bëjë komuna për qytetarin e saj” shprehet Hydajeti./rajonipress/


