Eko Higjiena

Më 29 nëntor vendoset për Ramushin

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjykata e Hagës ka njoftuar se më 29 nëntor do të publikohet vendimi për Ramush Haradinaj, Lah Ibrahimajn dhe Idriz Balajn. Ish-Kryeministri Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008. Të gjithë në Kosovë presin përsëritjen e vendimit të parë – pafajësinë e Haradinajt.

Pas njëzet ditësh, Ramush Haradinaj do të merr vendimin përfundimtar të Gjykatës së Hagës në lidhje me rigjykimin e zhvilluar prej kësaj gjykate.

Kështu, më 29 nëntor, gjyqtarët e Hagës kanë njoftuar se do të publikojnë vendimin për rastin e Ramush Haradinajt, Idriz Balajt e Lah Ibrahimat.

Kjo është bërë e ditur të premten, në një vendim që është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Hagës.

Aktualisht, Haradinaj është duke qëndruar në Kosovë deri pak ditë para se të shpallet vendimi përfundimtar.

Ndryshe, Haradinaj më 3 prill 2008, pas një procesi 3-vjeçar ishtë shpallur i pafajshëm për të gjitha aktakuzat nga Gjykata Penale e Hagës dhe një ditë më pas, më 4 prill 2008, kthehet i lirë në Republikën e Kosovës.

Më 21 korrik 2010, Tribunali i Hagës për të parën herë pas 17 vjet të themelimit, mori vendimin e parë kur vendosi për rigjykim të pjesshëm të Haradinajt, edhe pse ky i fundit ishte shpallur me unanimitet i pafajshëm.

UBT

Ramush Haradinaj ka qenë Kryeministër i Kosovës në koalicionin LDK-AAK i lidhur në vitin 2004, por pas njëqind ditësh kishte dhënë dorëheqje për t’u përballur me akuzat e Hagës.

Me pseudonimin “Smajli” në luftë, e që më vonë iu vu nofka “Rambo”, Haradinaj formoi AAK’në para më shumë se dymbëdhjetë vitesh.

Pra, Haradinaj përballet me akuza për krime lufte prej marsit të vitit 2005, ndërsa partinë e tij vazhdojnë ta udhëheqin Nënkryetarët, Blerim Shala, Ardian Gjini e Ahmet Isufi. Afër tyre qëndron vëllai i Ramushit, Daut Haradinaj.

Zyrtarët e AAK’së dhe qytetarët e Kosovës në vazhdimësi kanë thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe besojnë se edhe vendimi që do të merret në fund të këtij muaji do të jetë në favor të ish-Kryeministrit.

Udhëheqësi aktual i Aleancës, Blerim Shala gjithmonë kishte deklaruar se Haradinaj është i pafajshëm.

“Fakti që rikonfirmimi i pafajësisë së Haradinajt në Hagë është një interes jetik i Kosovës, dhe që kjo pafajësi është vlerë përbashkuese e shoqërisë dhe e politikës së Kosovës”, ka shkruar Shala gjatë vitit 2011.

“Dhe po të pyesni, me mikrofon në dorë, si gazetar, këdo qoftë në Kosovë, qofshin ata politikanë apo vetëm qytetarë të thjeshtë, se çfarë mendojnë ata për Rastin Haradinajn, të gjithë do të përgjigjeshin njëzëri që është në interes të Kosovës që të rivërtetohet pafajësia e tij e shpallur së pari më 3 prill të vitit 2008”, kishte thënë Shala.