“Më 13 prill 1999 humba djalin trejavësh” rrëfimi prekës i Nehat Shabanit për ditën që ia ndryshoi jetën
Gjilan – Për Nehat Shabanin, data 13 prill 1999 mbetet një nga kujtimet më të rënda dhe më të dhimbshme të jetës së tij. Atë ditë, gjatë dëbimit dhe sulmeve të forcave serbe ndaj banorëve të Llashticë, ai u plagos, ndërsa humbi edhe djalin e tij trejavësh, Lirimin.
Për Nehat Shabanin, 13 prilli i vitit 1999 nuk është vetëm një datë e luftës, por plagë që nuk mbyllet kurrë. Në mesin e flakëve, dëbimeve dhe tmerrit që përjetuan shqiptarët e Llashticë, ai u përball me goditjen më të rëndë që mund ta përjetojë një prind, humbjen e djalit të tij vetëm trejavësh, Lirimit. Forcat kriminale serbe nuk e prekën vetëm trupin e tij me plagë lufte, por ia goditën shpirtin në pikën më të ndjeshme, tek fëmija i pafajshëm që nuk arriti as ta njohë jetën.
Megjithatë, mes dhimbjes së pashpjegueshme, Nehat Shabani qëndroi stoik, duke e kthyer vuajtjen personale në forcë morale për të mos harruar kurrë krimet dhe për të qenë pranë familjeve që përjetuan tragjedi të ngjashme gjatë luftës në Kosovë.
Me emocione të forta dhe dhimbje të pashuar, Shabani kujton se sot djali i tij do të kishte mbushur 27 vjet.
Shabani shprehet i zhgënjyer që edhe pas kaq vitesh nuk është bërë rregullimi i varrezave të fshatit ku prehen dëshmorët dhe viktimat e luftës.
“Është e pafalshme që këto vende të kujtesës ende nuk kanë trajtimin e merituar. Institucionet duhet të tregojnë më shumë kujdes për ngjarjet historike dhe për sakrificën e njerëzve që dhanë gjithçka për lirinë”, thotë ai.
Duke rikujtuar momentet tragjike të prillit 1999, Shabani rrëfen se banorët e strehuar në male përpiqeshin t’i shpëtonin dhunës dhe krimeve të forcave serbe, por shumë familje u përballën me tragjedi të mëdha njerëzore.
“E kam shumë të vështirë ta rikujtoj atë ditë. Lirimi ishte vetëm tre javësh. Sot do të ishte 27 vjeç. Por masakrat, djegia e kufomave dhe krimet makabre që ndodhën më vonë më bënë të qëndroj i fortë pranë familjeve që humbën më të dashurit e tyre”, shprehet ai me dhimbje.
Sipas Shabanit, dëbimi i popullatës së Llashticës ishte i organizuar nga serbët lokalë në bashkëpunim me forcat që kishin ardhur nga Serbia.
Ai shpreh zhgënjim edhe ndaj institucioneve hetimore vendore dhe ndërkombëtare, duke thënë se rasti i Llashticës nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur.
“Jam tepër i zhgënjyer me hetuesit shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë, të cilët pothuajse nuk u morën fare me Dosjen e Llashticës”, thekson Shabani./rajonipress/


