Më 11 qershor do të ndodhë fitorja e madhe
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, është shprehur i bindur se koalicioni PDK-AAK-Nisma më 11 qershor do të korrë një fitore të madhe.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se fitorja do të jetë me mbi 50 për qind të elektoratit.
Sipas Hoxhajt, me këtë fitore nuk do të vihet në pyetje fare çështja e formimit të qeverisë së re. Hoxhaj ka theksuar se PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma janë parti politike të veprimit dhe të guximit.
Ai ka thënë se me qeverisjen e këtyre partive do të përmbyllet liberalizimi i vizave, demarkacioni me Malin e Zi dhe do të krijohet Ushtria e Kosovës. “Nuk ka asnjë dyshim se fitorja do të jetë në anën e koalicionit të PDK-së dhe partnerëve të saj. E vetmja gjë që kemi parasysh është se cila do të jetë përmasa e kësaj fitore, sa vende do të ketë PDK-ja dhe partnerët e saj në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve, se si të kemi mbështetje të fuqishme në Kuvendin e Kosovës me qëllim që qeveria e re ta bëjë punën e saj në miratimin e shumë ligjeve dhe vendimeve të cilat kërkohen të kenë mbështetje të domosdoshme parlamentare”, ka thënë Hoxhaj.
Zëvendëskryetari i PDK-së, që është edhe kandidat për deputet, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje më 11 qershor dhe t’i japin mbështetje koalicionit PDK-AAK-Nisma.
Ai ka bërë me dije se platforma “Fillimi i Ri” ka për synim forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik.

