Mbyllen 52 pika karburanti, funksionuan jashtëligjshëm
Inspektorati i Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka filluar aksionin për mbylljen e pikave shitëse me pakicë të karburanteve të lëngta të naftës të cilat ushtrojnë veprimtarinë afariste pa licencë valide.
Aksioni ka filluar në regjionin e Prishtinës dhe do te vazhdojë në gjithë vendin.
Ushtrimi i veprimtarisë afariste në sektorin e naftës pa licencë valide paraqet shkelje të dispozitave të Ligjit Nr.2004/5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës në Kosovë, prandaj një veprim i tillë do të ndalohet nga Inspektorati i Tregut. Ndaj atyre operatorëve ekonomikë do të ndërmerren masa konform dispozitave dhe ligjeve në fuqi.
Qëllimi i këtij aksioni është zbatimi i ligjeve në fuqi, parandalimi i ekonomisë jo formale, eliminimi i konkurrencës jo të drejtë tregtare.
Me këtë rast inkurajojmë të gjithë operatorët ekonomikë të cilët merren me këtë veprimtari që të pajisen me licencë valide, të cilat lëshohen nga organet kompetente të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në të kundërtën Inspektorati i Tregut do të vazhdojë me aksionin në tërë territorin e Republikës së Kosovës.


