UBT

Mbrojtja: Pas lirimit të Berishës, duhet liruar edhe Velijaj

/ 3 minuta lexim

Pasi që është liruar nga hetimet njeri prej njerëzve kryesor për të cilin pretendohej se ka marrë një pjesë të parave të pasaportave biometrike, do të duhej të lirohet edhe Natali Velijaj.

Kështu të paktën thotë avokati mbrojtës i gruas që dyshohet se keqpërdori 1.4 milionët të dedikuara për prodhimin e pasaportave biometrike.

Sipas Nuhi Paçarizi, akuzat që rëndojnë mbi klienten e tij, dita-ditës veç po vijnë e po zbehen. “Në fakt prej fillimit nuk ka pas asnjë dëshmi të fortë dhe të bazuar që provon se Velijaj është fajtore”, ka thënë Paçarizi të dielën për Express.

Për ta vërtetuar këtë, sipas avokatit mbrojtës të Velijajt tash është edhe fakti se Besnik Berisha, njeriu për të cilin klientja e tij ka thënë se e ka marrë gjysmën e parave, është liruar nga të gjitha hetimet. “Për të dyshuar është më shumë është fakti se klientja ime nuk është marrë më në pyetje që nga janari”, pohon avokati.

E pavarësisht se pohon se asnjë nga akuzat për të cilat klientja e tij ndodhet në paraburgim tash e sa kohë, nuk kanë bazë të fortë, sipas Paçarizit gjithçka varet muajin që vjen. “Pasi Velijajt i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për një muaj, shpresojmë që muajin tjetër me 12 tetor do të vendoset për të”, thotë ai.

Për Besnik Berishën prokuroria nisi hetimet kur Velijaj tha se ai ka marrë një pjesë të parave që ishin dedikuar për prodhimin e pasaportave.

Kjo ishte një nga deklaratat e shtetases gjermane, Natali Veliaj, e cila është ende në paraburgim si e dyshuara kryesore për zhdukjen e 1.4 milion eurove në rastin që më vonë u cilësua si “skandali i pasaportave”.

Uji Dea

Veliaj vazhdimisht në deklaratat e dhëna në hetuesi ka përmendur zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), si të përfshirë në skandalin me pasaporta, ku dyshohet se paratë e taksapaguesve kosovarë janë dhënë për xhepa individësh.

Veliaj ka deklaruar se ato para i ka dhënë ryshfet për zyrtarët, me sugjerimin e kompanisë austriake OeSD, furnizuese në vitin 2011-2012 me pasaporta elektronike. Veliaj u arrestua në nëntor 2012 për zhdukjen e 1.4 milion eurove.

Mirëpo këto deklarata të Natali Veliajt janë hedhur poshtë nga personat e përmendur. Njëri prej tyre ishte edhe Besnik Berisha, ndaj te cilit u mbyllen hetimet në korrik të këtij viti.

E Berisha nuk ishte njeriu i vetëm që u përfshi në këtë skandal. Të përmendur nga ajo si të implikuar në këtë rast ishin edhe të Agim Fejzullahu dhe Besnik Canaj. Por asnjëri nga ata nuk u arrestua.

Derisa fat të njëjtë nuk kishin edhe Betim dhe Fisnik Blakaj. Këta të dy, që u arrestuan bashkë me Velijajn, që nga nëntori ndodhen në arrest shtëpiak.

Në dëshminë e saj në Prokurori, Velijaj ndërkaq ka përmendur edhe një sërë emrash tjerë por edhe kompani të ndryshme në Kosovë tek të cilat ka transferuar shuma të majme të parash nga llogaria e saj./expresss/