Mbretërit e ‘Demokracisë Ballkanike’
Nga Burim Ramadani – Asgjë më shumë se qeverisjet autokratike në Ballkan nuk po rrezikojnë sigurinë rajonale. Dështimet e transicionit u kanë hapur dyert përbirimit të interesave të ringjallura rajonale të Rusisë dhe rekrutimit me qëllime terroriste nga lëvizjet globale me ideologji ekstreme fetare. Rajoni duhet të demokratizohet. Duhet përfunduar transicionin.
Ballkani Perëndimor vuan nga qeverisjet autokratike. Transicioni i stërgjatur, për gati dy dekada, është bllokuar në vetvete. Duke mbyllur mundësitë e ndërtimit të një demokracie funksionale, qeveritë në Ballkan kanë vazhduar të rrezikojnë sigurinë e tyre nacionale, por edhe atë rajonale. Dështimet e panumërta dhe të pandalshme qeveritare kanë ndikuar, po ashtu, në rikthimin e tensioneve ndër-etnike dhe ndër-shtetërore, prandaj edhe kanë shkaktuar situata pothuajse të ngjashme që janë parë shumë vite më herët.
Të gjitha këto, bazuar në nevoja personale të udhëheqjeve autokratike ballkanike. Sipas nevojave të momenteve të ndryshme, politikat ballkanike sillen e pështillen në të gjitha variantet për t’iu përshtatur mbretërve të pashpallur të demokracisë ballkanike. Edhe nëse rrezikohet paqja dhe stabilteti! Për ta fare nuk është me rëndësi. E gjitha që u duhet këtyre është mbajtja e pushtetit.
Sepse, e kanë të qartë se paqja dhe stabiliteti në Ballkan nuk përputhet me qeverisjet autokratike. O njëra, o tjetra! Nuk funksionojnë së bashku!
Porse, për mbretërit e rinj të pashpallur të demokracisë ballkanike e tëra fillon dhe përfundon tek vetja, rrjetet e tyre të përbashkëta të trafiqeve, pushtetit dhe fuqisë që po i mban peng vet ata.
Elitat politike ballkanike nuk kanë marrë asnjëherë mësimin se qeverisja demokratike nënkupton funksionalizim të politikave dhe programeve qeveritare që reflektojnë kërkesat dhe aspiratat e qytetarëve, në përputhje me të drejtat e njeriut dhe parimet e demokracisë.
Elitat politike ballkanike karakterizohet nga personalizimi banal i pushtetit, udhëheqja apo ndërlidhja me grupe të fuqishme kriminale, përfituese dhe keqpërdoruese, sikurse edhe ndërlidhjen mes vete në forma të fshehta, që u konvenojnë klubeve dhe rrjeteve të shumta të trafiqeve të jashtëligjshme.
Kështu, kanë mbytur çfarëdo lloj orientimi të qëndrueshëm, vizioni të mirëfilltë perëndimor dhe secilën mundësi për iniciativë të lirë qytetare. Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut kanë mbetur vetëm tema për seminaret e panumërta mëditje-prurëse për vartësit e këtyre elitave politike ballkanike. Si tema, këto janë kthyer në “interesante” dhe të bajatshme në të njëjtën kohë.
Këto elita politike, të personalizuara dhe të kthyera në ndërtim të autokratëve të rinj ballkanikë, kanë pasuar domosdoshmërisht me krijimin e elitave të korruptuara të fushave tjera. Si në biznese, si në arsim, në kulturë apo në sektorë tjerë. Madje, elitat e tilla politike kanë shpikur edhe “intelektualët” e tyre, duke bërë diplomat universitare dhe titujt akademikë në copë letre që blihet me para.
Kaq! Kjo është “demokracia ballkanike”!
Dhe, për të ndërtuar demokracinë ballkanike këta autoritarë të rinj vazhdimisht përdorën mjetet dhe metodat në shikim të parë perëndimore.
Pse, a mund të thotë dikush se në Ballkan nuk mbahet zgjedhje? Sigurisht se mbahen.
Pse, a mund të thotë dikush se në Ballkan nuk ekzistojnë tri degët e pushtetit? Sigurisht se ekzistojnë.
Pse, a mund të thotë dikush se në Ballkan nuk funksionojnë agjencitë e pavarura? Sigurisht se funksionojnë.
Pse, a mund të thotë dikush se në Ballkan nuk ka media? Sigurisht se ka.
Zgjedhje që i nënshtrohen blerjes dhe vjedhjes. Tri degët e pushtetit që i shërbejnë mbretërve të pashpallur. Agjencitë e pavarura shërbyese për autoritarët. Mediat që shtypen derisa nuk i shërbjenë autoritarëve, në mënyrë që të shpërblehen mëpastaj.
Sidoqoftë, pasojat e qeverisjeve të reja autokratike janë përcjellë shumë më gjerë dhe shumë më rëndë. Janë hapur mundësitë për të këqijat globale, qoftë nga Lindja, e qoftë nga Perandoria e Kuqe. Kështu kanë hapur rrezikimin e vazhdueshëm dhe të thellë të mirëqenies nacionale të shteteve veç e veç, por edhe të sigurisë rajonale në tërësi.
Asgjë më shumë se qeverisjet autokratike të shteteve në Ballkan nuk po rrezikojnë sigurinë rajonale. Dështimet e transicionit u kanë hapur dyert përbirimit të interesave të ringjallura rajonale të Rusisë dhe rekrutimit me qëllime terroriste nga lëvizjet globale me ideologji ekstreme fetare.
Edhe ‘Perandoria e Kuqe’, edhe lëvizjet globale terroriste e ekstremiste kanë gjetur hapësirë të nevojshme në Ballkan. Falë qeverisjeve autokratike. Falë interesave të mbretërve të pashpallur ballkanikë.
Madje, këta mund të luajnë edhe njëherë lojën e zjarrit ballkanik nëse shohin se po preken interesat e tyre personale. Edhe njëherë kthejnë mundësitë e luftërave etnike nëse binden se po shkelen mundësitë e tyre për të vazhduar pushtet-mbajtjen.
Është e qartë se rajoni duhet të demokratizohet. Duhet përfunduar transicionin.
Përndryshe, mbretërit e pashpallur po vazhdojnë tutje.


