Fundamenti

Mbretëreshat e drogës në Meksikë

/ 7 minuta lexim

Gratë, motrat, vajzat e kriminelëve të vrarë po marrin në dorë një perandori të krimbura në para. Udhëtim në Sinaloa, Meksikë, në tokën e drogës, ku komandojnë femrat

Vdekja e qindra trafikantëve të drogës në gjashtë vitet e fundit ka dhënë rezultatin e parë: bashkëshortet e tyre, motrat ose vajzat, po marrin në dorë gjithnjë e më shumë përgjegjësi brenda grupit të trafikantëve të drogës.

“Fillimisht ishin miset, po tani janë gratë që po marrin pozicionet komanduese”, thotë Javier Valdez, gazetar i “Riodoce” që në librin “Miss Narco” ka treguar tërheqjen fatale mes trafikantëve dhe konkurrenteve të bukurisë.

Këtë e konfirmon edhe Arturo Santamaría, sociolog i Universitetit të Sinaloas, i cili mendon se ky fakt do ta forcojë edhe më shumë trafikun e drogës e si pasojë do të jetë më e vështirë për t’u luftuar, sepse gratë janë më të zgjuara dhe dinake në drejtimin e operacioneve.

Santamaría sapo ka publikuar edhe një libër që titullohet “Las Jefas del narco”, ku ka mbledhur dëshmitë e këtij revolucioni. Sipas sociologut, së fundmi po përhapet një fenomen që mund të ndryshojë historinë e vendit, sepse në asnjë shtet tjetër të botës femrat nuk kanë një rol kaq të rëndësishëm në trafikun e drogës sa në Meksikë.

Fillimi i këtij udhëtimi është një kryq i mbjellë në asfalt pranë një qendre tregtare. Të kujton luftën e fundit të madhe të trafikantëve të drogës në shtetin e Sinaloas dhe vdekjen e Arturo Beltrán Leyva, më 19 dhjetor të 2009-s.

“Vrasësit hynin nëpër shtëpi dhe vrisnin djemtë në dhomat e gjumit. Pyesnin vetëm për origjinën dhe meqenëse viktimat nuk e dinin se kush ishin, përgjigjja ishte njësoj sikur të merrje pjesë në një ruletë ruse: kishe 50% shans për të shmangur vdekjen”, tregon Javier Valdez. Ajo luftë mes pesë vëllezërve Beltrán Leyva dhe Joaquin Guzman “El Chapo” (kapoja), trafikantit të drogës më të pasur dhe më të fuqishëm të Meksikës, kurrë nuk ka përfunduar.

Edhe sot në shtetin e Sinaloas (një vend me më pak se tre milionë banorë) më shumë se dy mijë persona në vit humbasin jetën për hakmarrje dhe përleshje të lidhura me trafikun e drogës. Numri i viktimave vetëm gjatë pesë muajve të parë të 2012-s ka arritur në shtatëqind.

Shumë prej tyre janë rezultat i sulmeve të “Zetas”, grupi me të cilin janë bërë aleatë grupi “Beltrán Leyva”, të cilët vijnë në Sinaola vetëm për të vrarë njerëzit e “Chapo”-s. Por të tjerët kanë të bëjnë me rregullat e kartelit (“një kompani” që faturon mbi tre miliardë dollarë në vit dhe ka interesa kudo): vrasin hajdutët, dhunuesit, ose thjesht ata që flasin shumë.

“Kemi gjetur makina plastike pranë kufomave. Kjo do të thotë se tekniku vidhte makina”, tregon Valdez, më pas shton: “Sot në Kuliakan mund të vdesësh vetëm se ke parë shtrembër dikë. Këtu gjithçka është e trafikantëve të drogës. Edhe fqinji im është trafikant. Shokët e shkollës së tim biri janë fëmijë trafikantësh droge”.

Prej tridhjetë vjetësh shteti i Sinaloas është vendlindja e trafikut meksikan të drogës. Bosët e mëdhenj janë rritur të gjithë këtu. Ende sot në grykat e maleve kultivohet marijuanë dhe opium, që shiten më pas në Kaliforni. Siç shpjegon edhe Javier Valdez, Joaquin Guzman, drejtuesi i lartë i kartelit, është një mafioz i stilit të vjetër. Bën bamirësi, ndërton kisha e shkolla, dhe mban një ushtri të vogël trafikantësh që kontrollojnë territorin, rrugë më rrugë.

Fidanishtja

“Në Kuliakan trafikantët e drogës të joshin dhe të nënshtrojnë, janë kudo dhe premtojnë se do ta lehtësojnë jetën duke të dhënë para dhe pushtet. Adoleshentët e kartelit janë ata që kanë makinat dhe vajzat e bukura. Mësojnë të qëllojnë dhe të mbajnë armët. Madje duket sikur të thonë: ‘Budalla, nuk sheh që je i rrethuar? Dorëzohu se asnjë nuk mund të të shpëtojë’”, thotë Valdez.

“Riodoce” është një gazetë e vogël javore, që vitin e kaluar fitoi çmimin “Maria Cabot” të Universitetit Kolumbia për gazetarinë investigative. Është themeluar në vitin 2003 nga katër gazetarë, të cilëve u kishte ardhur në majë të hundës censura dhe autocensura e gazetave lokale. “Ata numërojnë kokat, ne bëjmë sondazhet”, thotë krenar Valdez. “Në fillim nuk donim të bënin një gazetë ku pasqyrohej çdo detaj i trafikut të drogës.

Pastaj kjo ishte detyra që na u caktua dhe nëse nuk do të shkruaja për ‘të gjithëpushtetshmit’ do të ndihesha frikacak”. Para disa kohësh në redaksinë e “Riodoce” vunë bombë dhe që atëherë katër miqtë, pasi ndryshuan godinë (jashtë nuk është shkruar asgjë vetëm emri i gazetës me shkronja shumë të vogla te cetofoni) me bashkëpunëtorët dhe administratën, takohen vetëm një herë në javë kur mbyllin numrin.

“Gjëja e vetme për të cilën jemi shumë të sigurt, është se nuk jemi të infiltruar as nga bosët e politikës vendase dha as nga trafikantët e drogës. Për të tjerat është e vështirë të flasësh. Për bombën nuk thamë asgjë. Këtu nëse akuzon dikë që do të të vrasë, i ofron një alibi dikujt tjetër për ta bërë vërtetë”, thotë Valdez.

Numri i gazetarëve të vrarë gjatë viteve të fundit është mbi shtatëdhjetë, më shumë se gjatë gjithë periudhës të Luftës së Dytë Botërore. Javier Sicilia, poetit që i vranë të birin dhe mallëngjeu të gjithë vendin duke thënë se nuk do të shkruante më asnjë rresht, thekson se Meksika është një shtet i dështuar, sepse lidhja mes trafikantëve të drogës dhe pushtetit politik është e tillë që qytetari është krejtësisht i pambrojtur përballë dhunës.

“Policia është e korruptuar, ushtria gjithashtu. Përballë krimit të organizuar pushteti politik preferon të mohojë dëshmitë, të fshihet, të maskohet”, shton Sicilia. Në Meksikë ka qytete ku administratat lokale ua mohojnë reklamën gazetave që flasin shumë për dhunën. Njerëzit nuk duhet të informohen për personat e vrarë. Kjo gjë i bën keq turizmit.

Panorama ka ndryshuar e gjitha me lindjen e “Zetas”. Të gjithë pjesëtarët e këtij grupi janë ish-ushtarë të stërvitur në shkollat antiguerilje të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Në fillim ishin krahu i armatosur i kartelit të Gjirit, ai që kontrollonte portet në Detin e Karaibeve. Më vonë filluan të merrnin para, të sekuestronin njerëz dhe të bënin marrëveshje me prostitutat. “‘Zetas’ nuk kanë parime.

Rrëmbejnë emigrantët e paligjshëm të Amerikës së Jugut që përshkojnë Meksikën. E bëjnë për t’u marrë para të afërmve që i presin në anën tjetër, në SHBA. Nëse nuk kanë familjarë, atëherë i vrasin”, thotë Valdez.

Sandra Avila Beltran, trafikantja e drogës më e famshme në Meksikë dhe e para e brezit të “jefas” (shefeve të reja), rrezikon ta kalojë të gjithë pjesën tjetër të jetës në anën tjetër të kufirit, por në një burg. “Mbretëresha e Paqësorit” së shpejti do të ekstradohet dhe do të ndiqet penalisht në SHBA, sepse arriti të shiste 100 kg kokainë në Çikago.

Ardhja e grave në krye të këtij trafiku do ta vështirësojë edhe më luftën kundër kriminalitetit, sepse janë më të zgjuara.(express)