Fundamenti

Mbretëresha nga Ballkani

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Falë Majlinda Kelmendit, Kosova është futur në mesin e vendeve nga Ballkani që mund të fitojnë medalje në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. “Gracenote”, lideri botëror i ekspertizës dhe parashikimeve në sport, e ka publikuar një listë të medaljeve që kanë gjasa t’i fitojnë në “Rio 2016” vendet e ndryshme të botës, përfshirë këtu edhe disa nga vendet ballkanike, në të cilën e ka privilegjin ta shohë veten edhe vendi ynë, derisa në të mungojnë vendet tjera ballkanike si Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, që marrin pjesë në evenimentin më të rëndësishëm të sportit në botë qe një kohë.

Sipas kësaj kompanie, e cila ka dalë me këto rezultate në bazë të hulumtimeve që kanë bërë ekspertët, serbët kanë më së shumti gjasa për të fituar medalje në Olimpiadë, me tri të arta, 4 të argjendta dhe një të bronztë, derisa kroatët parashihet t’i fitojnë nëntë medalje, prej tyre: tri të arta, tri të argjendta dhe tri të bronzta. Pasi serbët kanë më shumë medalje të arta dhe të argjendta, gjenden përpara kroatëve, edhe pse këta të fundit mund të fitojnë më shumë medalje në përgjithësi. E treta është Sllovenia me katër medalje, nga to: tri të arta dhe një të bronztë, kurse Kosova është e katërta nga vendet e Ballkanit me një medalje të artë. Në këtë listë, Kosova e sheh veten në pozitën e 50-të, nga 70 vendet që kanë mundësi të fitojnë medalje.

Pjesën më të madhe të medaljeve, sipas parashikimeve, do ta fitojnë amerikanët, 102 medalje, pastaj kinezët me 76 dhe Rusia 66, derisa organizatori i këtij evenimenti, Brazili, mund t’i fitojë 25 medalje.

Majlinda: Do t’ju bëj krenarë

Majlinda Kelmendi ka fituar gjithçka në karrierë. Xhudistja kosovare është kampione e dyfishtë botërore dhe evropiane, prandaj i ka mbetur ta fitojë vetëm edhe medaljen olimpike, për ta kompletuar karrierën e saj brilante. 24-vjeçarja e ka përsëritur disa herë se do të mundohet t’ia sjellë Kosovës medaljen e parë në histori. “Do të mundohem t’ju bëj krenar në Rio. Kam fituar gjithçka dhe më ka mbetur vetëm medalja olimpike. Jam kthyer në formën më të mirë dhe shpresoj të shkoj gjithçka sipas parashikimeve në Rio”, ka thënë Majlinda për “Zërin” gjatë shpërblimit që e mori për medaljen e artë në Evropianin e xhudos. Mirëpo, nuk duhet harruar as Nora Gjakovën, e cila e fitoi medaljen e bronztë në Evropianin e Rusisë, si dhe Distria Krasniqi, kampione e botës për juniore.

Për Kosovën, kjo do të jetë hera e parë që merr pjesë në Olimpiadë dhe vendi ynë është mjaft ambicioz, duke kërkuar medalje qysh në debutim.

Në “Rio 2016” do të marrin pjesë 10,050 sportistë nga 306 vende, të cilët do të garojnë për 306 medalje që janë në lojë nga 42 sporte, në evenimentin që do të mbahet nga 5 deri më 21 gusht.

Favoritët e Ballkanit në Olimpiadë

Mobi Casa

Serbia 8 (3 të arta, 4 të argjendta e 1 të bronztë)

Kroacia 9 (3 të arta, 3 të argjendta, 3 të bronzta)

Sllovenia 4 (3 të arta, 1 të bronztë)

Kosova 1 (1 të artë)

Shqipëria –

Maqedonia –

Mali i Zi –

Bosnja e Hercegovina