RCCOLA

Mbret i dueleve në Evropë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Valon Behrami ka regjistruar statistika mbresëlënëse këtë sezon me Napolin. Në pesë kampionatet më të forta evropiane, asnjë lojtar nuk ka qenë më i suksesshëm se futbollisti kosovar sa u përket kontrasteve. 27 vjeçari ka fituar plot 82 duele, respektivisht 5,9 për ndeshje. Përfaqësuesi zviceran shquhet edhe me faullet e shkaktuar dhe me faktin se kundërshtarët hasin në vështirësi të mëdha për ta kaluar.

Të gjithë e duan lojën e bukur, por më në fund në futboll i kushtohet rëndësi edhe përballjes fizike. Mediet e huaja, më saktësisht uebfaqja whoscored.com, i kanë analizuar me kujdes duelet në mes të lojtarëve në pesë ligat më të forta evropiane dhe në këtë aspekt prin futbollisti kosovar, Valon Behrami.

I njohur qe një kohë të gjatë për forcën dhe vendosmërinë e tij në duele, 27 vjeçari është bërë lojtar mjaft i rëndësishëm i Napolit. Edhe pse në fillim ekzistonte skepticizmi, sepse ai nuk shihej si zëvendësues ideal i Walter Garganos së larguar, përfaqësuesi zviceran e ka rrëmbyer zemrën e tifozëve napolitanë, tek të cilët dita ditës po bëhet një hero.

Ish futbollisti i Veronës, Lazios, West Hamit dhe Fiorentinës ka fituar 82 duele deri në këtë moment, një statistikë kjo mbresëlënëse, të cilën nuk e ka arritur asnjë lojtar nga ligat më të forta evropiane.

Hidromorava

Nëse i hyjmë një analize edhe më të detajuar, atëherë del se Behrami i ka fituar 5,9 duele për ndeshje. Ai është shumë më përpara të dytit në tabelë, Arturo Vidal, i cili ka fituar 63 kontraste, përkatësisht 5,3 për ndeshje.

Dy yjet e futbollit Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë shumë larg Behramit. Portugezi ka një total prej 8 duelesh të fituara, ose 0,5 për ndeshje dhe renditet në pozitën e 1116-të, kurse argjentinasi ka një total prej 9 duelesh të fituara, ose 0,6 për ndeshje, duke u renditur në pozitën e 1079-të.

Futbollisti tjetër kosovar, Xherdan Shaqiri, i cili nuk pati paraqitje të mjaftueshme me Bayern Munichun deri tash ka fituar 7 duele, ose 0,6 për ndeshje, kështu që renditet në pozitën e 1069-të. Duelet dhe faullet nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë.

Në listën që whoscored.com e ka publikuar me lojtarët që kanë shkaktuar më së shumti ndërhyrje të palejuara, Behrami renditet në pozitën e 41-të. Por, në një statistikë tjetër, ai hyn në Top 10: Vetëm katër futbollistë nga pesë kampionatet më të mira evropiane janë dribluar më pak se 27 vjeçari.(express)