Fundamenti

Mbikëqyrja, kontrolli dhe baraspesha

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Edhe pse kushtetuta e vendit nuk e definon Kosovën si Republikë Parlamentare, por vetëm si Republikë demokratike ku institucionet funksionojnë sipas parimit të ndarjes së pushteteve si dhe kontrollit e baraspeshës, në esencë është pikërisht sistemi parlamentar që është ndërtuar duke pasur parasysh rolin e Kuvendit si dhe kontrollin që duhet ta ushtrojë mbi institucionet e tjera.

Përveç rolit të rëndësishëm që Kuvendi luan në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë, një pjesë kyçe e kohës së legjislativit është e përqendruar në ndërtimin dhe kontrollin e funksionimit të një sërë institucionesh të tjera të cilat i ka themeluar e të cilat mbulojnë fusha të ndryshme që janë esenciale për funksionimin e shtetit. Këto institucione, që në numër arrijnë në tridhjetë, janë zyra, institute, këshilla, komisione, borde e agjenci, të cilat i raportojnë Kuvendit dhe puna e të cilave mbikëqyret po nga Kuvendi.

Prandaj, edhe mosfunksionimi i Kuvendit, që rrezikon të zgjatet edhe më tej, ka për pasojë edhe bllokimin e punës së shumë prej këtyre institucioneve. Disa shembuj përfshijnë Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Agjencinë e Privatizimit dhe shumë të tjera, të cilat shumë funksione të tyre tani po i kryejnë në mënyrë të kundërligjshme, pa i dhënë llogari Kuvendit ashtu siç e parasheh legjislacioni në fuqi.

Uji Dea

Shumë nga këto agjenci funksionojnë pa numrin e nevojshëm të anëtarëve, sepse anëtarët e tyre emërohen nga Kuvendi. Disa të tjera, në mungesë të llogaridhënies para institucionit më të lartë legjislativ, po e keqpërdorin këtë vakuum institucional, siç është rasti me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë të cilët po rrisin tarifat energjetike. Ka raste kur Qeveria qëllimisht kishte lënë disa nga këto institucione jofunksionale për një kohë të gjatë, siç ishte rasti i Organit Shqyrtues të Prokurimit, meqë nuk i sillte propozimet në Kuvend për muaj të tërë. Natyrisht Qeverisë i përshtatej që ky organ, i njohur si Gjykata e Tenderëve, mos të funksiononte për të shqyrtuar shumë nga parregullsitë në tenderët e kontrolluar nga PDK.

Natyrisht që përveç këtyre 30 institucioneve që mbikëqyren nga Kuvendi, puna parësore e deputetëve është mbikëqyrja dhe kontrolli i punës së Qeverisë. Partia Demokratike e Kosovës ka keqpërdorë maksimalisht kohën që nga shpërbërja e Kuvendit për të rehatuar edhe ata pak militantë partiakë që i kanë mbetur të papunësuar, për të vazhduar me tenderomaninë e tyre, dhe për të ndërtuar edhe më tej klientelizmin në bazë të të cilit i marrin votat. Nuk është se këtë ‘aktivitet’ e patën lënë keq edhe gjatë kohës kur funksiononte Kuvendit, sepse kërkesat e deputetëve që të ndërpriteshin keqpërdorime të tilla asnjëherë nuk merreshin parasysh. Megjithatë, mosfunksionimi i Kuvendit vetëm sa e ka bërë edhe më të lehtë që dikasteret e ndryshëm të kësaj Qeverie të vazhdojnë me vendime të jashtëligjshme. Prandaj është jo vetëm esenciale por edhe urgjente që Kuvendi të përfundojë konstituimin dhe qeveria e ardhshme, pa PDK-në, të rishqyrtojë të gjitha këto vendime të jashtëligjshme dhe të rifunksionalizojë procesin e llogaridhënies dhe të mbikqyrjes jo vetëm mbi Qeverinë por edhe për shumë institucione të tjera që janë themeluar nga Kuvendi.

(Autorja është Anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe Deputete në Kuvendin e Kosovës dhe koluminste e rregullt e gazetës Tribuna)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.