Uji Dea

Mbi hipokrizinë dhe dështimin islamist

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj – Partitë me orientim islamik kanë pësuar debakël në zgjedhjet e 11 qershorit. Madje as Labinotë Demi-Murtezi nuk ia ka dalë të zgjedhet deputete, pavarësisht largimit nga Partia e Drejtësisë dhe bashkimit me AKR’në. Rrëfimi për të dhe linjën politike që përfaqësonte është rrëfim hipokrizie. Rrëfim dështimi.
Kur kritikoja Partinë e Drejtësisë dhe Ferid Aganin, zyrtarja e këtij subjekti dhe deputetja Labinotë Demi-Murtezi kishte marrë përsipër të luajë rolin e zëdhënëses së tij. Thua se vetë Agani nuk kishte gojë dhe nuk mund ta mbronte veten. Ose, mbase, ka mundur të ketë qenë i zënë me paraqitjet në gjykata, rreth rastit për të cilin i është ngritur aktakuzë.

Demi-Murtezi e mbronte Aganin me çdo kusht. Ajo më quante hipokrit, islamofob dhe më akuzonte se po i kontestoja vlerat politike, etike dhe morale të shefit të saj. Madje, ajo bënte akuza edhe më të rënda ndaj meje, duke më cilësuar njeri që paskam shitur “nderin personal dhe familjar për qëllime të mjera materiale”.

Kryetari Agani, thoshte Demi-Murtezi, është personifikim i gjallë i programit të PD-së. E quante edhe reformator të sistemit të shëndetësisë në Kosovë. Se për çfarë reforme e kishte fjalën, unë kurrë nuk e kam marrë vesh. Sot kosovarët jetojnë si kafshë, pa sigurim shëndetësor, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të Aganit.

Por, pikërisht kjo “parimorja” Demi-Murtezi nuk shkoi shumë kohë dhe e braktisi partinë e Aganit dhe vetë Aganin, duke iu bashkuar AKR’së së Behgjet Pacollit, me të vetmin qëllim: që të bëhet sërish deputete.

Në njoftimin e saj për largimin nga partia, në mesin e muajit maj, ajo arsyetohej se këtë po e bënte shkaku i zhvillimeve në kundërshtim me statutin e partisë dhe mospajtueshmërinë në shumë pika të organizimit të brendshëm.

E çuditshme se si i harroi ajo aq shpejt lavdet që i thurte për shefin e saj. Thoshte se për të flasin biografia e tij jetësore dhe “veprat e jashtëzakonshme që janë pjesë e saj”. Ndërkaq, ja si më cilësonte mua në një reagim të sajin, kur kritikoja Aganin: “Nga njëra anë ai derdh ‘lot krokodili’ se si kryetari Agani nuk ka arritur të mbajë premtimet e tij elektorale për çështjen e mbulesës dhe edukatës fetare, e nga ana tjetër e kualifikon atë si kryetar të një ‘partie politike islamike’. duke shpalosur qenien e tij të mjerë islamofobe në përpjekjen për ta paraqitur atë si protagonist të pasuksesshëm të islamit politik”.

Se çfarë orientimi ka pasur dhe ka Partia e Drejtësisë e dinë të gjithë. Siç e dinë edhe për debaklin e saj dhe të partive të tjera të këtij lloji në promovimin e islamit politik. Pavarësisht se Demi-Murtezi zgjedhjen e saj si deputete me mbulesë në Kuvend e konsideronte “sukses të plotë” të kontributit të Aganit në emancipimin politik të shoqërisë dhe institucioneve shtetërore, përkitazi me rëndësinë e madhe të lirive dhe të drejtave fetare të qytetarëve të vendit.

* * *

Mobi Casa

Ta konsiderosh dikë hipokrit, njeri që shet nderin personal e familjar, të pamoralshëm e islamofob duhet të kesh argumente. Por, pavarësisht mungesës së tyre, Demi-Murtezi kishte zgjedhur ta mbrojë verbërisht kryetarin e partisë. Standardet e dyfishta të përdorura në këtë rast shpërfaqin më së miri hipokrizinë e saj. Parimet në ktë rast as që ia vlen të përmenden.

Pse paskam qenë unë hipokrit, kur e kritikoja Aganin për dështimet e tij edhe si ministër i Shëndetësisë, edhe i Mjedisit, edhe si kryetar i partisë e nuk qenka e tillë Demi-Murtezi, që harroi shpejt lavdet në adresë të shefit të saj, madje edhe ia braktisi partinë?

Ajo më quante islamofob, më quante hipokrit e të shitur vetëm pse thosha një të vërtetë: se Agani kishte dështuar t’i realizojë premtimet për çështjen e mbulesës dhe edukatës fetare.

Qytetarët me votat e 11 qershorit ia kanë treguar vendin Demi-Murtezit dhe të tjerëve si ajo. Ato që ajo dhe të tjerët i propagandonin si vlera “nuk po dhezin” më. Forma nuk mjafton, duhet përmbajtje. Nuk mjafton vetëm të jesh e mbuluar me shami, të zgjedhesh deputete, e pastaj të mos dëgjohet zëri në Kuvend, përderisa paguhesh mijëra euro nga paratë e qytetarëve.

Pikërisht për shkak se është treguar joparimore, elektorati e ka ndëshkuar Demi-Murtezin, duke ia besuar vetëm rreth 3700 vota, krahasuar me mbi 14 mijë që i kishte fituar tre vjet më parë.

* * *

Ndryshe nga Demi-Murtezi dhe të tjerë si ajo, unë vazhdoj ta mbroj qëndrimin se parti fetare, islamike ose të krishtera, janë të dëmshme dhe nuk i duhen Kosovës. E tillë duket të jetë edhe Iniciativa Qytetare për Drejtësi dhe Unitet, subjekt politik pjesë e të cilit ajo është bërë së fundi.