Uji Dea

Mbi heronjtë dhe viktimat

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arben Idrizi – Viktimat nuk kanë më përkatësi etnike. Janë vetëm viktima. Qenie njerëzore që janë vrarë mizorisht nga heronjtë.

Në tekstin e javës së kaluar dhashë një gjykim troç mbi heronjtë, duke thënë se ata në esencë janë kriminelë (ordinerë). Nga ana tjetër, qëllimi i tekstit, ndër të tjera, sado që nuk e thosha drejtpërdrejt, ishte ta bëja me dije se dhembshuria, respekti, nderimi im anojnë kah viktimat, e jo kah xhelatët. Me fjalë të tjera, pikërisht heronjtë janë ata që i shkaktojnë viktimat, ose pikërisht heronjtë janë ata që nxisin të tjerët të shkaktojnë viktima, me gjoja vlerat e virtytet si trimëria, sakrifica, etj.

Heronjtë janë xhelatët.

Ky nuk është një thjeshtëzim qëllimkeq. Është një përkufizim që e sugjeron arsyeja, përvoja dhe parimet, në kontekstet e luftërave si për pushtim ashtu për çlirim (pa mohuar mundësinë e ndonjë përjashtimi – sado që unë nuk e di cili mund të jetë ai konkretisht e saktësisht).

Oliver Jens Shmitt, në librin e tij ‘Kosova’ (të cilin mendoj se jo vetëm lexuesit nacionalistë e fanatikë, por edhe historianët tanë po të atillë do të duhej ta merrnin më seriozisht dhe ta çmonin për vlerat shkencore që bart), ka vënë në pah një dukuri thelbësore: shqiptarët – ballkanasit në përgjithësi – nuk i nderojnë viktimat, ata i nderojnë vetëm heronjtë.

Problemi, le ta përdorim këtë klishe, është se këta heronj në një moment të caktuar pranohen si të tillë, si pasojë e disa rrethanave pothuajse misterioze dhe pas kësaj më historia e tyre bëhet tabu. Vlen vetëm ajo që thuhet zyrtarisht, nga disa autoritete të vetëshpallura ideologjike, nacionaliste, fanatike, nga ata që i lartësojnë si heronj.

Është i ndaluar çdo hulumtim mbi personalitetin e tyre të vërtetë, të kaluarën e tyre, vlerat dhe parimet që në të vërtetë kishin, nëse i kishin. E vërteta është vetëm ajo që e thonë sajuesit e tyre, historianë a gazetarë a shkrimtarë a këngëtarë. Që të flasim më qartë, e vërteta janë ta zëmë idiotësitë që i këndon Ilir Shaqiri, e jo ajo që fle e patrazuar në mister. Ose, e vërteta është ta zëmë ajo dokrra subjektive që e thotë historiani Jakup Krasniqi, e jo ajo që mbetet e pa hulumtuar, ose që nuk guxojnë ta thonë ata që e dinë dhe do të donin ta thonë.

Unë i shoh të tillët, heronjtë, si çdo qenie tjetër të prirë nga natyra për dhunë dhe krime në çfarëdo rrethane qoftë. Tani, falë një aksidenti historik, ata i veshin vetes, dhe në të njëjtën kohë ua veshin atyre ato autoritete ideologjike, një pretekst gjoja sublim: atdhedashurinë. Dhe në emër të kësaj e realizojnë veten – veten e tyre të dhunshme. Meqë në rrethana të tjera realizimi i tyre do të përçmohej e dënohej (dmth në një shoqëri demokratike), në rrethanat e tashme ndodh e kundërta: çmohet dhe shpërblehet. Nëse nuk i keni harruar filmat me gangsterë, ta zëmë ata me Al Caponen, do ta kujtoni se si ai, në rivalitet me shtetin, pra ligjin dhe rendin, bëhej se gjoja iu ofronte mbrojtje banorëve të lagjeve ku vepronte (pasi i vriste, ua përvetësonte pasurinë dhe ua merrte gratë).

Ishte e habitshme, ose vetëm mua më dukej e habitshme, të shihnim, ta zëmë në vendlindjet tona, se si i rroknin armët dhe i vishnin uniformat të parët pikërisht personat më të dyshimtë, të cilët deri atëherë i shmangte çdonjëri me dy palë mend në kokë dhe me një trohëz shpirt. Ngase të tillët edhe deri atëherë veç kishin shkaktuar viktima të ndryshme, kishin shkaktuar vuajtje e pakënaqësi.

Pikërisht ata janë heronj.

Nëse s’do të kishte rastisur ai aksident historik, lufta, ata heronj të sotëm s’do të kishin qenë asgjë më shumë se sa ca gangsterë, banditë, plaçkitës pronash, dyqanesh a bankash. Dhe ndoshta do të ishin shtirur sikur po i mbronin e ndihmonin banorët që do t’i plaçkitnin e vrisnin në lagjet ku do të vepronin.

Tani, që të mos ju bëj të nxeheni duke i përfolur të vdekurit, po ju ftoj të reflektoni mbi të gjallët. Merreni me mend sikur të kishte rënë në luftë ndonjëri nga këta heronjtë e gjallë, të cilët sot për ne janë të dyshuar qoftë për krime ndaj civilëve gjatë luftës qoftë për krime të tjera pas luftës: vjedhje, plaçkitje, korrupsion, reket, etj. Ta zëmë: Fatmir Limaj, ose Xhavit Haliti, ose Sami Lushtaku, ose Xhabir Zharku, ose Azem Syla, ose Remi, ose Ramush a Daut Haradinaj, ose Rexhep Selimi, ose Florin Krasniqi, ose…

Çka do të kishit menduar për ta?

Eco Higjiena

E çka mendoni sot?

Kur bashkësia ndërkombëtare ndërhyri në Kosovë për t’i dhënë fund luftës, e bëri këtë jo pse shqiptarët ishin a kishin heronj. E bëri këtë sepse regjimi i Millosheviqit po e përndiqte, torturonte, masakronte dhe vriste popullatën civile. Intervenimi bëhej në emër të këtyre civilëve dhe vetëm për këta; quhej: intervenim humanitar. Duke i shkelur konventat ndërkombëtare. Pra, e bëri sepse shqiptarët ishin një popullatë e pambrojtur përballë një aparati shtetëror ushtarako-policor.

Duhej t’i shpëtonte dikush. Dhe i shpëtoi dikush. Shqiptarët i shpëtoi të qenit viktimë në atë moment (sepse më vonë nga viktimë do të ktheheshin në të kundërtën). E ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte fuqi as mjete për ta mbrojtur popullatën. Ajo periudhë e veprimit të saj nuk shënon asnjë përleshje që do të meritonte titullin betejë. Kufizohej në disa veprime guerilase dhe kaq. E thënë çfarë nuk e kemi thënë: një nga strategjitë ishte të provokohej policia dhe ushtria serbe ashtu që të shkaktonte sa më shumë viktima ndër civilët e pambrojtur shqiptarë, me qëllim që të vinte intervenimi i NATO-s.

Atëherë, a nuk e meriton nderin dhe respektin pikërisht kjo popullsi civile, këta fëmijë, gra e pleq? A nuk duhej të kishte në sheshin kryesor një memorial për civilët, viktimat, në vend të atyre përmendoreve që janë aty për t’i dhënë jetë një mashtrimi të frikshëm historik, me pasoja për trashëgiminë tonë shoqërore kulturore.

Por, nuk është çështja te shenjat materiale të kujtesës. Çështja është te kujtesa mendore. Edukimi dhe kultura jonë na bëjnë që të jepemi pas këtyre sajesash të pështira me heronj, duke lënë në harresë civilët, ata fëmijë, gra e pleq që i vuajnë të gjitha pasojat dhe vetëm pasojat e një lufte që as e dëshirojnë as e pranojnë.

Prandaj janë viktima.

E ndër viktimat më të shpeshta të gjalla dhe më të harruara nga kjo mendësi e pështirë maskuliste janë femrat. Janë me qindra e mijëra femra të dhunuara, ndaj të cilave nuk është shfaqur as kujdesi më i vogël i asfarë natyre, duke i lënë nën zgjedhën më mizore të një kulture primitive që i hedh tutje si leckë, thuase ato janë fajtore për të keqen që u është bërë; që madje i detyron ta heshtin krimin që u është bërë.

Shoqëria e heroit shqiptar (muskuj në vend të mendjes dhe shpirtit) dhe ai vetë nuk dëshiron që e ëma, e dashura, e bija apo motra t’i tregojë e të dëshmojë para botës se është dhunuar nga heroi serb. Se gjoja është turp të jesh e dhunuar, e jo të jesh dhunues. Ai, më e shumta, dëshiron e mëton ta dhunojë ëmën, të dashurën, bijën apo motrën e heroit serb. Kaq është e gjitha.

Në anën tjetër, kjo mendësi maskuliste ka ditur fare mirë të përkujdeset ndoshta edhe më shumë se sa që e meritonte për veten e burgosur e torturuar nëpër burgjet serbe. Bile t’i nxjerrin sytë me rrëfimet e vuajtjeve të veta mashkullore e më shumë me trillimet e heroizmave mashkullorë.

Edhe pse nuk ka ndonjë rëndësi opinioni im, them se ai memorial do të duhej të ishte aty në shesh për t’i përkujtuar jo vetëm civilët shqiptarë të vrarë nga serbët, por edhe dhe gjithsesi ata serbë dhe romë të vrarë nga ne shqiptarët.

Nëse nuk kemi arritur e nuk do të arrijmë t’i gjejmë dhe dënojmë një nga një emrat e atyre heronjve-vrasës që i kanë urdhëruar dhe bërë këto vrasje, të paktën i dimë një nga një emrat e këtyre viktimave. Dhe mund t’i shënojmë këta emra, në një pllakë përkujtimi të përbashkët. Aty ku kalojmë për çdo ditë të lume, aty ku jemi tërë kohën, ne që jemi, pa ata që nuk janë më. E kështu t’ia kujtojmë vetes çfarë i kemi bërë njëri-tjetrit dhe ta dëshmojmë se dimë e duam ta nderojmë viktimën. Secilën, pavarësisht përkatësisë etnike.

Ngase këto viktima nuk kanë më përkatësi etnike. Janë vetëm viktima. Qenie njerëzore që janë vrarë mizorisht nga heronjtë. Nga heronjtë serbë dhe nga heronjtë shqiptarë. Nga kafshët patriotike. Nga kafshët.