ARKATANA

Mbi Akademinë

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Arben Idrizi- Kërkohet të përcaktohet e imponohet një interes plus, ose edhe special, i pashkruar i Akademisë: ai politik. Pra, do të duhej të themi: interesi publik e kombëtar i Akademisë shprehet në ushtrimin e veprimtarisë së saj në fushën e reagimeve ndaj politikës, shkencës dhe artit serb. Etj.

E pranoj se nuk i kam ndjekur të gjitha deklaratat e polemikat, nuk i kam lexuar të gjitha tekstet, e ndoshta edhe ato që i kam ndjekur e lexuar s’i kam ndjekur e lexuar me vëmendje, mbi atë se çfarë është e çfarë duhet të jetë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK).

Po për aq sa jam në dijeni të problemit, do të përpiqem të them ca fjalë, jo për të parashtruar zgjidhje, të cilën s’e kam, s’jam i thirrur ta kem ose s’ka pse të ketë, por thjesht për të parashtruar ca pyetje e për të bërë ca interpretime që më duket s’janë parashtruar e bërë ende.

Vërejtje themelore: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është institucioni më i lartë i shkencës dhe artit i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, përmes një ligji të veçantë, më 20 dhjetor 1975. Sipas atij ligji: Interesi publik e kombëtar i Akademisë shprehet në ushtrimin e veprimtarisë së saj në fushën e shkencës dhe të artit, që përfshin kultivimin, nxitjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe të krijimtarisë artistike.

Me gjasë, në kohën e themelimit të Akademisë, shprehja ‘interesi publik e kombëtar’ kishte një domethënie që mund edhe të mos e ketë sot.

Po edhe nëse e ka ende, mendoj se është absurde ta ruajë.

Më duket absurde ngase intenca në rastin e tillë është nacionaliste dhe mund të mos ketë të bëjë asgjë më shkencën dhe artin.

Nga sa kam mundur të vërej, akuzat në drejtim të Akademisë, pakënaqësitë në lidhje me të, mblidhen në këtë pikë, që po e jap të parafrazuar: Akademia nuk ka reaguar dhe nuk po reagon ndaj qëndrimeve, veprimeve etj, politike ose edhe të tjera të Serbisë.

Me këtë, lexoj unë, kërkohet të përcaktohet e imponohet një interes plus, ose edhe special, i pashkruar i Akademisë: ai politik. Pra, do të duhej të themi: interesi publik e kombëtar i Akademisë shprehet në ushtrimin e veprimtarisë së saj në fushën e reagimeve ndaj politikës, shkencës dhe artit serb. Etj. Kjo nënkupton, lexuar fjalë për fjalë, se ai interes përfshin kultivimin, nxitjen dhe zhvillimin e mendimit dhe krijimtarisë politike antiserbe, me të gjitha inkriminimet e mundshme, nga mendimi te veprimi fizik.

Nëse Akademia serbe (sepse qëllimi i frustrimit tonë është pikërisht ky, që Akademia jonë të jetë rivale e përpiktë e asaj serbe) ka nxitur urrejtjen, luftën dhe gjenocidin, po ashtu edhe Akademia jonë është dashur ta bëjë pikërisht të njëjtën gjë! Nëse një politikan serb, sot, merr pjesë në një manifestim, Akademia jonë duhet të bëjë një reagim ndaj asaj pjesëmarrjeje, duke përgënjeshtruar ato që thotë ai!

Eco Higjiena

Përndryshe, mendohet, për asgjë të dreqit nuk na duhet!

Këtë logjikë e ndjekin një mori intelektualësh nga sfera të ndryshme të dijes. Akademia pra duhet të jetë pararojë e përhershme shpirtërore e edhe fizike e shqiptarëve në luftën e tyre të vetëmbrojtjes ndaj rrezikut të përhershëm serb. Ajo që kjo Akademi duhet të bëjë mbi të gjitha është që t’ua bëjë me dije serbëve se shkenca e arti i tyre nuk janë asgjë më shumë se një gënjeshtër dhe ka një synim i qartë dhe të vetëm shfarosjen e shqiptarëve. Akademia jonë, s’do ta lejojë kurrë këtë, sepse përmes shkencës dhe artit të vet do t’ia bëjë me dije botës mbarë se çka janë serbët në të vërtetë në njërën anë, e çka janë shqiptarët në anën tjetër. Po s’e bëri këtë, djalli e marrtë!

Këtë logjikë së fundi ka nisur ta ndjekë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ose të paktën kështu nënkuptohet nga deklarimet e fundit.

Nuk arrij t’i kuptoj asnjërën palë.

Nuk arrij të kuptoj edhe shumë gjëra të tjera.

Për shembull, pse nuk mundet thjesht të ekzistojë ajo Akademi ashtu siç ekziston (duke respektuar statutin e saj ligjor dhe duke ushtruar veprimtarinë e saj në fushën e shkencës dhe artit, përkatësisht duke kultivuar, nxitur dhe zhvilluar mendimin shkencor dhe krijimin artistik)?

Pse një akademik ka obligim të reagojë si përfaqësues i një institucioni të dijes ndaj disa deklarimeve të një politikani në një manifestim çfarëdo?

Pse nuk bën të lihen ata akademikë të bëjnë punën e tyre sipas vokacionit të tyre personal, për interesin e tyre tekefundit personal, pa qenë të ngarkuar nga obligimet e pakuptimshme nacionaliste?

Pse vetë Akademia duhet të jetë mburojë nacionaliste?

Pse “vlerësohen” për veprimtarinë “fantazmë” (që s’e kanë realizuar), e nuk vlerësohen për veprimtarinë e tyre akademike mirë a keq dhe të respektohen për vetë atë veprimtari?