Mobi Casa

Mbi 600 milionë litra karburant u importuan në Kosovë deri në dhjetor

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Deri në fillim të këtij muaji në Kosovë janë importuar 608 milionë litra karburant.

Nga këto litra, 536 milionë litra janë naftë kurse 72 milionë të tjerë janë benzinë.

Përpos këtyre që janë importuar, sipas zëdhënësit për media nga Dogana e Kosovës, Adriatik Stavileci, pati edhe disa maune të cilat janë kthyer në kufi.

“Në aspektin sasior janë importuar 608 litra, por pati edhe disa raste të kthimit të maunave”, ka thënë Stavileci.

Ndërsa në Kosovë janë gjithsej 60 subjekte ekonomike që merren me importin e naftës.

Kështu të paktën është bërë e ditur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Sipas Zyrës për Informim nga kjo ministri theksohet se janë 60 subjekte ekonomike që merren me importin e naftës dhe që kanë licencë valide për ta ushtruar këtë veprimtari.

UBT

“Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës ju ven në dijeni se sipas data bazës që kemi, janë gjithsej 60 subjekte ekonomike që merren me Importin e naftës dhe që kanë licencë valide për ta ushtruar këtë veprimtari”, thuhet nga MTI.

Sipas MTI-së, monitorimi i cilësisë së naftës brenda territorit të Kosovës është duke vazhduar dhe në bazë të rezultateve të mostrave të testuara, rezulton që cilësia e naftës në vend është brenda treguesve dhe përbërësve të cilësisë të përcaktuara me aktet nënligjore në MTI.

“Në rastet kur rezultatet rezultojnë JO-konform, Inspektorati ndërmerr masa konform ligjeve në fuqi”, është thënë në përgjigjen e MTI-së, lidhur me cilësinë e naftës.

Kurse me kontrollin e cilësisë së naftës në kufi merret Dogana e Kosovës, ndërsa kontrollin brenda territorit të Kosovës dhe nëpër pikat shtesë e bën Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Të shumta janë rastet kur qytetarë te Kosovës janë shprehur të pakënaqur me cilësinë e naftës duke mos harruar edhe çmimin e lartë e që shpesh herë është mjaft lëvizës, duke ndryshuar nga java në javë./Indeksonline/