Mbi 440 nxënës të Kamenicës po bëhen “Mish për top”

Nga Fatmir Matoshi – Për dy vjet me radhë i kemi bërë thirrje Kryetarit Kastrati dhe prindërve e këshillave lokale që të bëjnë një zgjidhje në lidhje me riorganizimin e shkollave që u iniciua nga Kryetari Qëndron Kastrati. Kemi humbur gjysmën e asambleistëve në përpjekjet për ta ndalë këtë riorganizim. Përmes mashtrimeve Kryetari ka arritur të marrë mbështetjen e tyre.

Për ne ka qenë e pranueshme secila zgjidhje që pranohet nga prindërit.
Kamenica ka nevojë për riorganizim shkollash, (numri i nxënësve po zvogëlohet përditë, sepse plani për të parandaluar shpërnguljen ka dështuar) por absolutisht Jo në këtë mënyrë dhe Jo në kundërshtim me vullnetin e nxënësve e prindërve.

Humbja e dy viteve mësim për këta fëmijë është e pazëvendësueshme edhe me implementimin e reformës më të mirë në botë. Pra në tërë këtë mes ka vetëm humbës, humbës të shkaktuar nga një eksperiment në të cilin u përdorën fëmijët.

Tani, akterët që po i prijnë këtij eksperimenti janë marshuesit e “fitores së madhe” të vitit 2017 në Kamenicë. Është kryetari dhe partia e tij LVV-ja veçse tani për shkak të çështjeve të tyre personale janë të ndarë në dy grupe. Njëri (ai i kryetarit) që dëshiron pavarësisht vullnetit të nxënësve e prindërve të shtyej përpara planin e tij, dhe grupi i dytë ai i mbështetësve, propaganduesve e lobuesve të kryetarit Kastrati në vitin 2017 e që tani përdorin po të njëjtit fëmijë e prindër duke i vënë përballë planit të Kryetarit.

Pamjet që po i shohim janë të dhimbshme, por janë të riparueshme, ajo që nuk mund të kompensohet janë orët mësimore të humbura nga fëmijët.

Ato orë mësimi nuk kompensohen me hakmarrjen mes vete të fituesve të zgjedhjeve të vitit 2017.

Nëse këta fëmijë dhe kjo komunë u përdorë për eksperiment nga kryetari i saj, nuk duhet të përdoret si eksperiment edhe nga Ministria e Arsimit dhe as nga ish shtabi zgjedhor i Qëndronit në vitin 2017.

Asnjërës palë prej Jush nuk u dhimben as fëmijët e as banorët, kjo që po bëni ju është fushatë e pastër politike për zgjedhjet 2021.

Loja që po bëni me këta nxënës e banorë që jetojnë edhe me shumë halle tjera vetëm turpin do t’ua sjell.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS