Mbi 180 punëtor të angazhuar në punët publike “Kosova 2012”

Gjilan – Fadil Osmani menaxher në zyrën e projekteve tha për rajonipress se këtë vit nëpërmjet Ministrisë së Punës dhe qendrës rajonale të punësimit, në bashkëpunim me organet komunale është arritur të punësohen mbi 180 punëtor sezonal. Një kontingjent i punëtorëve janë duke bërë krasimin e pishave të Gumnishtës.
Shtimi i sipërfaqeve gjelbëruese, mirëmbajtja dhe ruajtja e tyre është njëri nga synimet kryesore të administratës komunale në Gjilan. Pas luftës janë djegur qindra hektar pyje e pisha dhe realisht nuk është realizuar asnjë pyllëzim i ri.
Duke parë këtë gjendje të mjerueshme në këtë sferë Fadil Osmani menaxher në zyrën e projekteve tha se kanë arritur që përmes projektit “Punët publike 2012” të punësohen mbi 180 punëtor.
Osmani tha se një numër i këtyre punëtorëve duke përfshirë shqiptarë, serb e romë tashmë janë duke marrë pjesë në krasimin e pishave në fshatin Gumnishtë, rruga e Gadishit. Osmani tha se këto pisha dhe të tjerat tek Penda e Livoqit janë mushkëritë e Gjilanit. “Ne duhet ta ruajmë këtë pasuri dhe angazhimi i punëtorëve ka mundësuar pastrimin komplet të kësaj hapësire”.
Osmani tha se krasitja edhe mirëmbajtja e këtyre pishave është e rëndësishme sepse pyllëzimi i tyre ka ndodhur para 25 viteve dhe asnjëherë nuk janë mirëmbajtur si duhet . Mos mirëmbajtja e tyre ka sjellur edhe deri tek mos zhvillimi normal i drunjve.
Osmani tha se për të qenë krasitja më profesionale kanë angazhuar edhe Agjencionin Pyjor të Kosovës kurse Ministria e Punës dhe Qendra Rajonale e Punësimit është kujdesur për angazhimin e punëtorëve.
Këtij projekti i është gëzuar edhe Xhevat Aliu drejtor në Qendrën Rajonale të Punësimit. Aliu tha se fatmirësisht angazhimi i një numri të madh të këtyre punëtorëve e zbut papunësinë edhe pse kohëve të fundit të rinjtë nuk dëshirojnë të punojnë punë të rënda. “Përparësia e këtij projekti është se ka punëtor nga të gjitha nacionalitetet dhe gjithçka ka shkuar mirë” tha Aliu./rajonipress/