ARKATANA

Mbi 1,700 gjoba brenda një jave në Gjilan – Policia shton kontrollet dhe apelon për kujdes në trafik

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka intensifikuar aktivitetet për sigurinë në komunikacion, duke shqiptuar gjithsej 1 mijë e 795 gjoba trafiku gjatë periudhës 15-21 maj 2026, në kuadër të planeve operative për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e disiplinës në rrugë.

Sipas raportit zyrtar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në rajonin e Gjilanit kanë zhvilluar kontrolle të shtuara ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit, ndërsa gjatë javës janë hetuar 19 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 10 aksidente me persona të lënduar.

Policia ka shqiptuar 13 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë dhe 9 të tjera për përdorim të telefonit mobil gjatë vozitjes, duke e konsideruar këtë dukuri si një ndër shkaqet kryesore të rrezikimit në trafik.

Mobi Casa

Po ashtu, janë evidentuar dhe sanksionuar 31 raste të modifikimit të paligjshëm të automjeteve, kryesisht për vendosjen e folieve të errëta, ndërsa për 58 ngasës është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.

Në fund të njoftimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar edhe ndaj këmbësorëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik, duke respektuar semaforët dhe vendkalimet e shënuara.

Policia ka rikujtuar se përdorimi i telefonit mobil apo dëgjueseve gjatë kalimit të rrugës, si dhe mosrespektimi i rregullave bazë të komunikacionit, përbëjnë shkelje që ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi./rajonipress/