KD-gjilan

Mbi 1,500 gjoba brenda një jave në rajonin e Gjilanit, policia shton kontrollet dhe apelon për kujdes në trafik

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në trafik, duke shqiptuar gjithsej 1,567 gjoba kundërvajtëse gjatë periudhës 29 maj – 4 qershor 2026, në kuadër të planeve operative për parandalimin e aksidenteve dhe respektimin e rregullave të komunikacionit.

Sipas të dhënave zyrtare, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në rajon kanë trajtuar 17 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 15 aksidente me persona të lënduar, duke dëshmuar nevojën për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

Gjatë kontrolleve të realizuara në terren, policia ka shqiptuar 21 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 44 gjoba për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit, si dhe 67 gjoba ndaj ngasësve të motoçikletave për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut.

ARKATANA

Po ashtu, ndaj 35 drejtuesve të automjeteve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike, për shkak të shkeljeve serioze të legjislacionit rrugor.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shfrytëzuar këtë rast për t’u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore. Një apel i veçantë u është drejtuar përdoruesve të trotinetëve elektrikë, të cilët janë obliguar të lëvizin me shpejtësi të përshtatshme, të mos transportojnë pasagjerë dhe të tregojnë kujdes maksimal ndaj pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Policia rikujton se trotinetët elektrikë mund të drejtohen vetëm nga persona mbi moshën 16-vjeçare dhe paralajmëron se kontrollet dhe masat ndaj shkelësve do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve në rrugë./rajonipress/