Mbetet në fuqi masa e arrestit shtëpiak për tri gjinekologet e Spitalit të Gjilanit
Prishtinë – Gjykata e Apelit e Kosovës, ka lenë në fuqi masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, për të pandehurat Mexhide Shaqiri, Hamide Zeqiri dhe Vjollca Kosumi.
Në këtë mënyrë kolegji penal i kësaj gjykate, të premten me 01.04.2016, ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan PPR.KR.50/2016, të datës 24.03.2016.
Të pandehurat M.Sh. dhe H.Z. po dyshohen se kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje: Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor nga neni 260, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe Mosdhënie e ndihmës mjekësore nga neni 261 i të njëjtit ligj. Ndërsa e pandehura e tretë po dyshohet se ka bashkëvepruar me to në veprën penale: Mosdhënie e ndihmës mjekësore.
Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejtë kur të pandehurave ua a ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, masë kjo që do të siguroj rrjedhë normale të procedurës penale dhe parandalim të përsëritjes se veprës penale thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit./rajonipress/


