Uji Dea

Mbështetje institucionale për ndërmarrësit e diasporës

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADC) dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim (SDC) po vazhdon përkrahjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës, me theks të veçantë tek zhvillmi i Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme (NVM).

Në kuadër të Programit për Promovimin e NVM-ve (KOSME), ECIKS po mbështetë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, mes tjerash, edhe në krijimin dhe funksionalizimin e Skemës “Voucher” të Këshilldhënies.

Ky është një mekanizëm që synon të adresojë nevojat e NVM-ve për qasje më të lehtë e të përshpejtuar në shërbimet profesionale këshillimore.

Fushat në të cilat ndërmarrjet mund të përfitojnë nga këto shërbime të subvencionuara të këshilldhënies janë menaxhimi dhe planifikimi i biznesit, financat, marketingu dhe promovimi, burimet njerëzore, marrëdhëniet me publikun, IT dhe Dizajn, çështjet ligjore etj. Shërbimet e këshilldhënies për një rast zgjasin maksimalisht dhjetë ditë, ndërsa ndërmarrja përfituese obligohet të marrë përsipër vetëm 20 për qind të kostos totale.

Pjesa tjetër mbulohet nga projekti KOSME, respektivisht nga burimet e donatorëve të lartpërmendur dhe nga Agjencia kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë, që vepron në kuadër të MTI-së.

FIDANISHTJA

Shërbimet e Këshilldhënies ofrohen nga konsulentë vendor të kualifikuar në fushat përkatëse nga Këshilli i Konsulentëve të Kosovës, ku bën pjesë edhe BERZH në cilësinë e vëzhguesit. Përzgjedhja e konsulentëve bëhet nga vet ndërmarrja përfituese, ndërsa procesi nga aplikimi deri te fillimi i punës së konsulentit nuk zgjatë ma shumë se një muaj.

Ndërmarrësit e diasporës, që kanë synuar të investojnë në Kosovë në të kaluarën janë përballur shpeshherë me vështirësi bazike në procesin e investimit.

Në veçanti afaristëve të diasporës iu kanë munguar informatat mbi kushtet e investimit, ligjet e aplikueshme, taksat, procedurat administrative e deri tek çështjet e ndjeshme të planifikimit të biznesit sipas standardeve perëndimore. Përmes Skemës Voucher të Këshillëdhënies, investitorët nga diaspora tani e tutje mund të përfitojnë mbështetje profesionale e të subvencionuar, që ua lehtëson dukshëm procesin e investimit në vendlindje.

Procesi i aplikimit është shumë i lehtë, mjafton të plotësohet aplikacioni, i cili mund të shkarkohet në faqen e MTI-së www.mti-ks.org/svk dhe i njëjti të dërgohet përmes postës elektronike në: svk@rks-gov.net.

Deri më tani mbi 30 ndërmarrje vendore kanë aplikuar dhe janë në proces të përfitimit nga shërbimet profesionale të këshilldhënies. Projekti ka për qëllim që deri në verën e vitit 2015 t’i mbështesë me këto shërbime të paktën 200 ndërmarrje vendore dhe të diasporës./albinfo/