Uji Dea

Mbajtja e zgjedhjeve do të monitorohet edhe nga BE-ja

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Në ditën e votimit të zgjedhjeve lokale, në Kosovë do të qëndrojë edhe një ekip monitoruesish nga Bashkimi Evropian. Këtë e ka ri konfirmuar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff. Ndryshe, Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile, do të ketë 1 mijë e 600 vëzhgues. Për këtë qëllim është vënë në dispozicion edhe numri i telefonit 500-088 nga të gjithë operatorët, ku qytetarët mund të denoncojnë parregullsitë eventuale gjatë votimit.

Mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, do të monitorohet edhe nga BE-ja. Këtë e ka konfirmuar, ambasadori britanik Ian Cliff në konferencën e përbashkët me organizatat e shoqërisë civile.

”Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Tash disa vite pas pavarësisë, bashkësia ndërkombëtare më nuk do të mbyllë sytë para parregullsive. Madje, do të kemi edhe një delegacion të BE-së në zgjedhjet lokale që është e pazakontë sepse BE-ja nuk monitoron zgjedhjet lokale dhe kjo tregon rëndësinë që kanë këto zgjedhje”, tha Cliff.

Uji Dea

Ndërkaq, ambasadori norvegjez Jan Braathu u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbushin obligimin e tyre qytetar dhe të dalin në votim më 3 nëntor. Ndryshe, Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile, Demokracia në Veprim, në këto zgjedhje do të ketë 50 monitorues të angazhuar në fushatën zgjedhore dhe 1 mijë e 600 në ditën e votimit. Petrit Zogaj tha se në zgjedhjet lokale, KDI do të monitorojë në 8 qytete kryesore por edhe veriun e vendit.

“Demokracia në Veprim, kësaj radhe ka vendosur që të publikojë rezultatet vetëm nga 8 qytete të Kosovës, ku përfshihen Prishtina, Prizreni, Gjakova, Mitrovica, Mitrovica e Veriut, Gjilani, Ferizaj dhe Peja, duke marr parasysh që këto janë qendrat më të mëdha por që shtesë janë edhe tri komunat veriore, Zveçan,Leposaviç dhe Zubin Potok”, pohoi Zogaj.

Demokracia në Veprim po ashtu ka vënë në dispozicion numrin 500-088 në të gjithë operatorët. Qytetarët mund të bëjnë thirrje pa pagesë dhe të denoncojnë parregullsitë e mundshme në qendrat e votimit.