Mbajtja e dy palë zgjedhjeve përnjëherësh, sfiduese për KQZ-në dhe votuesin

Njohësit e proceseve zgjedhore janë shprehur kundër mbajtjes së dy palë zgjedhjeve përnjëherësh. Ish-anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Ilir Fetahu dhe Blerim Burjani, kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se mbajtja përnjëherësh e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale do të ishte proces sfidues për KQZ-në dhe votuesit.
Ndonëse me këtë variant do të kursehej buxheti i Kosovës, sipas tyre, kjo mënyrë e mbajtjes së zgjedhjeve nuk do t’i garantonte standardet e kërkuara ndërkombëtare për këtë proces.
Ndërsa kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk ka dashur ta komentojë idenë nëse vendi do të shkojë përnjëherë me dy palë zgjedhje. “Mbajtja e dy palë zgjedhjeve në çdo vend është sfidë, në radhë të parë për institucionin i cili i organizon ato, por aq më tepër edhe për votuesin. Kjo kërkon një punë dhe angazhim shumë të madh sepse, në fakt, janë tri palë zgjedhje, me sistemin i cili aplikohet te ne. Pra, janë zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet për kryetar të komunës dhe zgjedhjet për asambletë komunale”, ka thënë për “Epokën e re” ish-anëtari i KQZ-së, Ilir Fetahu.
Edhe njohësi tjetër i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani, është shprehur kundër mbajtjes së dy palë zgjedhjeve me të njëjtën datë. “Zgjedhjet e bëra në këtë variant nuk i plotësojnë përfundimisht standardet ndërkombëtare, por do të plotësoheshin vetëm standardet minimale ndërkombëtare në këtë situatë. Prandaj, KQZ-ja nuk është komode dhe nuk ndihet mirë kur përnjëherësh duhet të organizohen dy palë zgjedhje”, ka thënë Burjani për gazetën “Epoka e re”. Sipas tij, kjo mënyrë e mbajtjes së zgjedhjeve do të shkaktonte komplikime të mëdha.
Fetahu dhe Burjani thonë se zgjedhjet e vitit 2007 kanë treguar pasojat që mund të dalin nga mbajtja e dy palë zgjedhjeve.