RCCOLA

Mbahet Tryezë Shkencore kushtuar 80-vjetorit të Masakrës së Gjilanit dhe 40-vjetorit të rënies heroike të Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në kuadër të Manifestimit Shumëkulturor “Flaka e Janarit 2024” është mbajtur Tribunë Shkencore kushtuar 80-vjetorit të Masakrës së Gjilanit dhe 40-vjetorit të rënies heroike të Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve komunale e shtetërore, kurse me kumtesa u paraqitën gjashtë historianë që trajtuan në mënyrë të përgjithshme këto ngjarje me karakter historik.

Në pjesën shkencore, fillimisht me punimin e tij “Masakra e Gjilanit gjatë luftës së Dytë Botërore” është paraqitur dr. Blerim Haziri, i cili ka theksuar se në gjysmën e dytë të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945 forcat partizano-çetnike për një kohë të shkurtër kanë kryer masakra të mëdha ndaj popullatës shqiptare të Komunës së Gjilanit, duke thënë se për një kohë të shkurtër janë vrarë rreth 7000 shqiptarë, prej tyre intelektualë dhe popullatë e pafajshme. Krejt kjo ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje për luftën e lavdishme të Gjilanit, pas së cilës është bërë rrethimi i qytetit dhe më pas mbi popullatën e pafajshme u ushtrua dhunë, terror e vrasje dhe lumi Mirusha mori ngjyrë të kuqe nga gjaku i shqiptarëve, kurse pati edhe varreza masive gjë për të cilën dëshmuan dëshmitarë që kishin rrëfyer për këto ngjarje, por që hetim për këto ngjarje nuk ndodhi kurrë.

Më pas, dr. Fitim Rifati është paraqitur me një punim për rëndësinë e rënies historike të Rexhep Malës e Nuhi Berishës, ku studiuesi Rifati ka përshkruar një kronologji historike për Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Luftërat Ballkanike, Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore dhe luftat e shqiptarëve për Bashkim Kombëtar. Për Rexhep Malajn e Nuhi Berishën ai tha se u lindën dhe rritën në familje me tradita atdhetare dhe se që në rini u mishëruan me programin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke mos e ndalur asnjëherë aktivitetin, përfshirë edhe atë të armatosur.

“Me betejën e parë të armatosur pas vitit 1981, ata dëshmuan se tashti shqiptarët janë të organizuar dhe se kanë rritur shkallën e lëvzijes atdhetare, kurse rënia e tyre solli ngjarje me rëndësi jetike për popullin shqiptar”, ka thënë dr. Rifati, që ka shtuar se Rexhep Mala e Nuhi Berisha thyen tezën e bashkëjetesës në ish-shtetin komunist dhe u bënë simbol frymëzimi për rininë, studentët e popullin. Ata ishin inspirues e sakrifikues, ishin kryengritësit në luftën për liri, duke dëshmuar se populli shqiptar është i gatshëm të sakrifikojë edhe jetën për të arritur lirinë.

Ilir Vokshi, në emër të dr. Sabile Keçmezi Basha, ka lexuar punimin mbi “Situatën politike në kohën kur vepruan Rexhep Mala e Nuhi Berisha”, duke u ndalë në periudhat nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, për aksionin e grumbullimit të armëve, gjykimin e grupeve patriotike shqiptare, për organizatat ilegale e demonstratat e popullit shqiptar.

Besnik Kurteshi u paraqit me kumtesën “Mendimi politik i organizatave ilegale, ideali i Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës”, duke u ndalë te organizatat ilegale që vepruan pas Luftës së Dytë Botërore e deri te vitet e nëntëdhjeta, siç ishin ONDSH, Besa Kombëtare, Partia Revolucionare për Bashkim me Shqipërinë, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e shqiptarëve, Grupi Revulocionar, Grupi Marksist-Leninist i Kosovës, Fronti i Kuq Popullor, LPK e organizata të tjera, duke thënë se Rexhep Mala e Nuhi Berisha ideal e kishin Kosovën Republikë e më pas bashkimin me Shqipërinë dhe se ata u benë frymëzim i qëndresës kundër pabarazisë në Kosovë.

Kosovare Rahimi foli për “Jetën dhe veprën e Rexhep Malës, shkollimin, organizimin e demonstratave të vitit 1968, përjashtimin nga shkolla, punën në Marec, studimet, veprimtarinë ilegale, kalimin në Shqipëri, kthimin në vendlindje, largimin në Evropë, përpjekjet për çlirim, arrestimin, burgun e rëndë, lirimin më 1983, shkrimet për jetën në burg dhe veprimtarinë tjetër. Ajo shkëputi disa pjesë nga libri i Rexhep Malës “Qëndresa” dhe shtoi se nëntë muaj pasi është liruar nga burgu, në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, i rrethuar nga forcat policore e ushtarake luftoi bashkë me Nuhi Berishën deri në rënien në altarin e lirisë.

Eco Higjiena

“Jeta dhe vepra e Nuhi Berishës” ishte kumtesa me të cilën u paraqit historiani Gazmend Arifi, i cili e ka trajtuar atë në bazë të dokumenteve dhe të librave. Ai tha se Nuhi Berisha që nga mosha rinore iu bashkua Lëvizjes Çlirimtare. Për të tha se ishte nxënës dhe student i shkëlqyeshëm, ishte njeri i sakrificës, sypatrembur, komunikues e bindës, pjesëmarrës i demonstratave dhe se më 1 prill 1983 i iku arrestimit dhe se veproi në ilegalitet e më pas edhe në Zvicër dhe më 1983 u kthye në Kosovë u takua me Rexhep Malën me të cilin kishin vizion të qartë për Kosovën dhe shumë gjëra të përbashkëta, derisa bashkërisht ranë në luftën për liri.

Në Hapësirën për Diskutime pati një interesim të veçantë nga pjesëmarrësit. Kështu Ismajl Kurteshi, që ishte shok klase me Rexhep Malën, tha se ai në shkollë sillte libra që për kohën ishin ilegale, albume me ngjyra me motive nga Shqipëria, libra të Adem Demaçit e të Asllan Resulit. Historiani Aliriza Selamani, tha se ishte lagjja e tij Derëmahalla në të cilën ndodhën masakrat më të mëdha pas Luftës s Dytë Botërore, ku u vranë intelektualë, popullatë e varfër dhe se ka qenë vetë i pranishëm në diskutimet e popullit për këto ngjarje, andaj ka bërë disa punime për atë periudhë. Ai tha se është për atë që në Gjilan të bëhet një memorial, ku do të përfshiheshin të gjithë emrat nga tërë hapësira e Rrethit të Gjilanit, sikurse edhe për atë që në objektin e OZNA-s të vendoset një pllakë e të bëhet një monografi për këto ngjarje. Selmani gjithashtu ka kërkuar që të ribotohet libri “Masakra e Gjilanit” i autorit Shaban Alia dhe të shfrytëzohet terreni më shumë për t’u njoftuar lidhur me kto ngjarje.

Me një rrëfim autentik për Masakrën e Gjilanit është paraqitur Jakup Berisha, 87-vjeçar, i cili i kishte tetë vite kur kishte ndodhur masakra. Ai e ka përshkruar atë periudhë të parë nga sytë e një fëmije dhe me saktësi të madhe ka kujtuar raste të veçanta të atyre ndodhive, viktima nëpër rrugë, biseda me nënë, largimin nga shtëpia e ngjarje të tjera.

Shemsi Syla, zëvendësministër i mbrojtjes ka çmuar kumtesat e temat e paraqitura dhe tha se jeta veprimtaria e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës do të duhej trajtuar në shumë dimensione, ngase ata ishin shkëndijat e para të luftës, derisa Ramadan Dërmaku, përmendi disa segmente dhe rolin e familjeve Mala e Nuhi Berisha në organizimin e ilegales, pastaj foli se si u tentua që dëshmorët të përqaheshin nga ish-pushteti edhe në ditën e varrimit, tendenca për pengimin e pjesëmarrjes në varrim dhe dëshmi të tjera.

Ky organizim është barë falë përkrahjes së kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte dhe Degës së Lidhjes së Historianëve në Gjilan.

Në emër të institucioneve komunale, Kushtrim Zeqiri, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport ka thënë se në këtë tribunë do të trajtohet sakrifica për liri në rrethana të ndryshme kohore. Ai tha se u trajtua masakra e Gjilanit dhe u paraqitën kumtesa në 40- vjetorin e rënies së heronjëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha.
“Në këto tema që u trajtuan, jo të gjitha jan dëgjuar më herët edhe atë falë punës dhe profesionalizimit të Shoqatës së Historianëve, por edhe nga protagonistë të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve dhe brezat e ardhshëm do të dijnë të vlerësojnë e të çmojnë historinë e popullit tonë”, ka thënë drejtori Kushtrim Zeqiri, që ka shtuar se rezistenca dhe përpjekja e popullit tonë janë dëshmi për lirinë që po e gëzojmë sot dhe falë kësaj rezistence sot jemi të lirë, andaj drejtori Zeqiri edhe në emër të kryetarit të Komunës ka përgëzuar për këtë tryezë./rajonipress/