Mbahet dëgjimi publik për shpronësimin në Kapi

Kamenicë – Begzad Sinani në fjalën e tij ka thënë se përkushtimi i komunës është që të mbështes projektin e hapjes së pikëkalimit kufitar në Kapi me qëllim që qytetarëve të ju mundësohet liria e lëvizjes së lirë. “Për këtë qëllim është bërë një punë e madhe, gjithashtu do të ofrojmë të gjitha dokumentet e nevojshme kadastrale për shpronësimin e këtyre pronave”.
Në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë u organizua dëgjim publik lidhur me shpronësimin për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar te kufirit IBM: Pika Kufitare në Kapi, Zona Kadastrale Sfircë, Komuna Kamenicë.
Në këtë dëgjim përveç pronarëve dhe palëve të interesuara, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, strukturat komunale, Kryetari Begzad Sinani, Nënkryetari Fatmir Matoshi dhe drejtorët komunal.
Kryetari Sinani në fjalën e tij ka thënë se përkushtimi i komunës është që të mbështes projektin e hapjes së pikëkalimit kufitar në Kapi me qëllim që qytetarëve të ju mundësohet liria e lëvizjes së lirë. “Për këtë qëllim është bërë një punë e madhe, gjithashtu do të ofrojmë të gjitha dokumentet e nevojshme kadastrale për shpronësimin e këtyre pronave”.
Sqarime të nevojshme rreth procedurave të bartjes së trashëgimisë i ka dhënë edhe Drejtori i Kadastrit, Pronës dhe Gjeodezisë Fadil Hoti, i cili ka njoftuar se është në koordinim me pronarët për rregullimin e dokumentacionit për këtë çështje.
Rreth shpronësimit të këtyre pronave ka dhënë sqarime edhe zyrtari i lartë i Departamentit të Shpronësimit, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë Samir Bruqi.
Ai ka thënë, se departamenti do të procedojë më tutje shpronësimin e kësaj pjese, vlerësimi për shpronësim do të bëhet nga një komision i Ministrisë së Financave – Departamenti i Tatimit në Pronë dhe pastaj lënda do të kthehet sërish në MMPH për tu ekzekutuar shpronësimi.
Në këtë takim edhe pronarët e tokave në Kapi janë shprehur të gatshëm që të bëhet ky shpronësim dhe kanë premtuar bashkëpunim me të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces./rajonipress/