Mbahet dëgjimi publik për kornizën buxhetore, interesimi i qytetarëve i pamjaftueshëm
Gjilan – Komuna e Gjilanit e ka ofruar të mërkurën në dëgjim publik Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), 2013-2016, por ka munguar interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në procesin e planifikimit buxhetor dhe përcaktimin e prioriteteve për tre vitet e ardhshme.
Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, ka thënë se qytetarët duhet të jenë pjesë e hartimit të politikave buxhetore dhe e vendimmarrjes, për ta thënë fjalën e tyre në një proces që është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e tyre.
Është e vërtetë se te granti qeveritar nuk mund të bëjmë ndryshime, por të hyrat vetanake mund t`i destinojmë dhe orientojmë sipas prioriteteve që i përcaktojmë bashkërisht me qytetarët në debate të këtilla, ka thënë Zeka.
Isa Shefkiu nga shoqëria civile ishte i mendimit se kufizimet buxhetore reflektohen edhe te interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në debat, por ai këshillon të provokohen edhe forma tjera të nxitjes së publikut për të qenë pjesëmarrës në procese të tilla.
Jakup Bajrami ka kritikuar politikat buxhetore të qeverisë së Kosovës, që sipas tij janë të centralizuar dhe komunave u lihet shumë pak mundësi për planifikim, prandaj ky fakt e ulë edhe interesimin e qytetarëve për të marrë pjesë në debat. Korniza i kufizon mundësitë për lëvizje të buxhetit, ka thënë Bajrami.
Ai ka bërë vërejtje edhe te pagat, që parashihet të rriten vetëm 1.7 për qind, ndërkaq standardi po bie çdo ditë e më tepër, ka thënë Bajrami. Sa u përket pagave, Zeka ka thënë se rritje do të ketë, duke nënvizuar se ketë e ka paralajmëruar vetë kryeministri Thaçi.
Kurse Arben Maliqi u shpreh optimist se qeveria do të kthehet më në fund me investime kah Gjilani. Ai ka kërkuar rritje të buxhetit edhe për arsim, rini e sport në tre vitet e ardhshme.
Pavarësisht interesimit të vogël të qytetarëve për të marrë pjesë në dëgjim publik, Nuhiu Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa, ka thënë se i mirëpresin edhe më tutje sugjerimet e publikut. Sipas Nuhiut, gjatë tre viteve të ardhshme, buxheti do të lëviz nga 20 milionë e 125 mijë euro, sa është planifikuar në vitin 2014, deri në mbi 21 milionë, në vitin 2016.
Të hyrat vetanake do të shënojnë rritje deri në rreth 4 milionë, në vitin 2016, nga 3.6 milionë sa janë të planifikuara për vitin 2013. Nuhiu beson se komuna e Gjilanit ka kapacitete për më shumë të hyra vetjake, por duhet angazhim më i madh i të gjithëve faktorëve që të arrihet ky synim, ka thënë ai.
Nuhiu u shpreh i pa kënaqur edhe vetë me këtë buxhet, sepse nuk siguron zhvillim, por më shumë është një buxhet i mbijetesës.
Përndryshe, vizioni i Komunës së Gjilanit për tri vitet e ardhshme, është një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, urbanizëm modern, shërbime efikase e cilësore, integrim në proceset rajonale dhe ndërkombëtare, si një qendër e kulturës, arsimimit dhe sportit si dhe jeta më e mirë për qytetarët.
Prioritet strategjike të Komunës, në periudhën afatmesme, kanë të bëjnë me forcimin e ekonomisë lokale, përmirësimin e shëndetësisë dhe mirëqenies së qytetarëve, përmirësimin e ambientit komunal dhe qëndrueshmërisë si dhe ndërtimi i një qeverisje që ofron shërbime efikase dhe që u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.
Komuna e realizon buxhetin e saj nga grantet qeveritare dhe të hyrat vetanake, që kanë shënuar rritje nga viti në vit. Në bazë të planifikimit, nga viti 2014, grantet qeveritare për Komunën e Gjilanit do të shënojnë rritje graduale. Rritja e granteve qeveritare do të jetë përafërsisht nga 10,31 – 15,52% në krahasim me vitin 2013./rajonipress/

