Mbahet akademia përkujtimore kushtuar Metush Krasniqit
Gjilan – Nën organizimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot është mbajtur akademia përkujtimore kushtuar 29 vjetorit të vdekjes së heroit Metush Krasniqi, i cili ishte në krye të organizimit të Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare.
Me këtë rast në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, ka folur nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se vlerat kombëtare dhe prijësi i rezistencës gjithëshqiptare kundër okupatorit serb ishin të organizuara dhe projektuar nga heroi Metush Krasniqi.
“Vlerat kombëtare dhe organizimet ishin të projektuara dhe të prira nga vet Metushi i cili rrjedh nga një familje me traditë dhe e dëshmuar për atdhedashuri. Meqë atdhetari ynë Metush Krasniqi gëzonte një autoritet të madh në mesin e rinisë shkollore dhe universitare, në Kosovë e në Maqedoni, ai kishte formuar një rreth të gjerë shokësh besnik, me të cilët edhe ka vepruar ndër vitesh si me: Hasan Dermaku, Rexhep Mala e Skënder Kastrati, Njazi Korça nga Gëmica, Kadri Zeka nga Poliçka, Ethem e Fehmi Bajrami nga Malisheva e Gjilanit, Rexhep Elmazi e Rafet Bajrami nga Gjilani, Jusuf Gërvalla, Zeqir Gërvallën e Sabri Novosellën në Prishtinë, Shefqet Jasharin e shumë të tjerë. Në nëntor të vitit 1958 Metush Krasniqi u burgos dhe u dënua me 18 vjet burg të rëndë prej të cilave i mbanë 8 vjet. Pas daljes nga burgu Metush Krasniqi i kaloi disa vite në fshatin e lindjes në Dajkoc. Ai ishte mësues dhe më vonë edhe drejtor shkolle, por me vendime të një anshme sësistemit serb ai largohet nga procesi edukativo – arsimor. Krasniqi, ishte një figurë frymëzimi për të rinjtë e kësaj kohe, që të vazhdohet edhe më tutje në organizim dhe ngritje kundër sistemit serb, i cili kishte nën shënjestër figurat si Krasniqi”, tha ndër të tjerash nënkryetari Kadriu.
Ishte Nexhat Rexha i cili u paraqit me studim publicistik dhe Blerim Haziri me një studim historik për figurën e Metush Krasniqit.
Ndërsa në emër të familjes Lule Krasniqi, falënderoi Komunën e Gjilanit për organizimin dhe të pranishmit për nderimin që i kanë bërë figurës së Metush Krasniqit me prezencën e tyre./rajonipress/


